Një 14-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Vlorë, pasi drejtonte automjetin në mënyrë të rrezikshme dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për ndalim, duke shkaktuar edhe plagosjen e dy punonjësve të policisë.
Ngjarja ndodhi rreth mesnatës në lagjen “24 Maji”, ku shërbimet e Patrullës së Përgjithshme konstatuan një automjet që kryente manovra të rrezikshme. Pavarësisht sinjalit për të ndaluar, i mituri rriti shpejtësinë dhe tentoi të godiste efektivët.
Pas disa minutash ndjekjeje, në zonën e “Kinoteatrit”, ai goditi një automjet policie, duke lënë të dëmtuar dy efektivë në detyrë. Më pas, 14-vjeçari braktisi mjetin dhe tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u vu në pranga.
Dy punonjësit e policisë morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Veprimet procedurale ndaj të miturit u kryen në prani të psikologut, mbrojtësit ligjor dhe nënës së tij, në përputhje me legjislacionin për të miturit. Automjeti u bllokua, ndërsa pronares së mjetit (nënës së tij) iu pezullua leja e drejtimit dhe iu vendos masë administrative.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Drejtimi i parregullt i automjetit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Policia e Shtetit apelon ndaj prindërve të tregojnë përgjegjësi dhe të mos lejojnë drejtimin e mjeteve nga të miturit, pasi përbën rrezik serioz për jetën dhe sigurinë rrugore.










