DOSJA “BANKERS”/ GJKKO ndryshon masat e sigurisë për 4 prej të pandehurve!

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të zëvendësojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për katër të pandehur në dosjen “Bankers”.

Bëhet fjalë për shtetasit Leonidha Çobo, Hong Ping Xiao, Ardit Kero dhe Lianyi Wang, për të cilët gjykata vendosi “ndalim të daljes jashtë vendit” dhe “detyrim për t’u paraqitur”.

Kërkesa për zbutjen e masës është bërë nga prokurorët e posaçëm Enkelejda Millonai dhe Anita Jella, pasi ka përfunduar afati 9-mujor i paraburgimit. Ndërkohë, avokatët mbrojtës kishin kërkuar shuarjen e plotë të masës së sigurisë.

Në këtë dosje ka edhe persona të tjerë që po hetohen në gjendje të lirë.

Ndaj katër të pandehurve rëndojnë disa akuza, përfshirë “krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “fshehje të të ardhurave”, “pastrim i produkteve të veprës penale”, “shpërdorim detyre” dhe “moskryerje e detyrave nga organet tatimore”.

Hetimet për çështjen “Bankers Petroleum” nisën pas dyshimeve se kompania, e cila operon prej më shumë se 20 vitesh në zonën Patos-Marinzë, ka shmangur detyrimet tatimore përmes skemave të dyshuara financiare.

Sipas të dhënave hetimore, kompania ka deklaruar humbje për rreth 20 vite me radhë, në vlerë totale prej 11.7 miliardë lekësh, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ka eksportuar dhe shitur naftë në vlerën e 532 miliardë lekëve, duke përfituar edhe rimbursim të TVSH-së.