Policia e Vlorës ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për ndalimin e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.
Mbrëmjen e së martës, Goro është shoqëruar në ambientet e Policisë së Vlorës, ku ndodhet aktualisht.
Vendimi vjen pas kërkesës së SPAK për rikthimin e tij në burg, pasi Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite burg. Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga përllogaritjet rezulton se Goros i kanë mbetur edhe 6 muaj e 10 ditë për të vuajtur. Ai ishte liruar më 29 gusht të këtij viti.
Më herët, urdhri për ekzekutimin e vendimit i ishte përcjellë Policisë së Shtetit, por nuk ishte zbatuar menjëherë. Ndërkohë, përmes avokatëve mbrojtës, Goro ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme revokimin e zbatimit të vendimit.
Më 25 mars të këtij viti, Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin për Goron, lidhur me çështjen e tjetërsimit të një prone në zonën e Livadhës. Ndërsa më 30 korrik 2025, ai u dënua me 2 vite burg për “shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Gjithashtu, Goro është dënuar me 5 vite ndalim për të ushtruar funksione publike.
Ai është kallëzuar nga Fredi Beleri, i cili pretendon se në vitin 2016 Goro i ka kaluar 4263 m² tokë pasuesit të tij në detyrë, Arqile Bollano.










