Skënder Hita merr detyrën si kryepolic: “Do pastrojmë radhët nga shkelësit e ligjit”

Skënder Hita ka marrë zyrtarisht detyrën si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke shpallur prioritetet e tij kryesore në krye të institucionit. Në fjalën e mbajtur pas betimit, Hita theksoi se një nga sfidat më të rëndësishme do të jetë lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga vetë radhët e policisë.

Ai u shpreh se do të punojë për të forcuar besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit dhe për të rritur nivelin e sigurisë në të gjithë vendin.

“Betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Mbetet sfidë thellimi i rezultateve dhe forcimi i besimit nga qytetarët. Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga radhët tona, si dhe forcimi i rendit dhe sigurisë, janë misioni im,” deklaroi Hita.

Në fjalën e tij, ai falënderoi gjithashtu kryeministrin dhe qeverinë për besimin, si dhe efektivët e policisë për punën e tyre në terren, duke e cilësuar këtë moment si një nga më të rëndësishmit në karrierën e tij.