Zero tolerancë për parakalimet e rrezikshme dhe përdorimin e celularit në timon

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka dhënë një mesazh të prerë ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, duke theksuar se parakalimet e gabuara dhe manovrat e rrezikshme nuk do të tolerohen.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, i shoqëruar me video ilustruese, ai paralajmëron masa të forta ndaj çdo shkelësi, veçanërisht për ata që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Sipas Lamallarit, çdo shpërqendrim në timon përbën rrezik serioz për jetën, duke nënvizuar se siguria rrugore është prioritet absolut.

“Nuk ka asgjë më të rëndësishme apo urgjente se kujdesi për jetën dhe shëndetin tënd dhe të të tjerëve, kur je në timon. Çdo sekondë që heq sytë nga rruga për një mesazh apo telefonatë është një rrezik real që mund të kushtojë shtrenjtë. Nuk ka justifikime dhe as tolerancë për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit. Siguria në rrugë është e panegociueshme”, shprehet ministri.

Autoritetet pritet të intensifikojnë kontrollet në terren, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.