Një ngjarje e rëndë është parandaluar në kohë nga Policia e Shtetit në Vlorë, duke shmangur përshkallëzimin e situatës brenda një familjeje.
Sipas informacioneve paraprake, shërbimet e policisë janë njoftuar për një person të armatosur me thikë, i cili po kërcënonte familjarët e tij. Menjëherë pas sinjalizimit, uniformat blu kanë ndërhyrë duke bërë të mundur neutralizimin dhe ndalimin e autorit.
Bëhet fjalë për një 75-vjeçar, i cili dyshohet se kishte ushtruar dhunë dhe përbënte rrezik për jetën e bashkëshortes dhe familjarëve të tjerë.
Ndërhyrja në kohë e policisë ka shmangur pasoja më të rënda, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Materialet procedurale i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme.










