Partia Socialiste zhvillon sot mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku në qendër të diskutimeve janë sfidat në Kuvend dhe axhenda ligjore për javët në vijim.
Në këtë tryezë të zgjeruar koordinimi marrin pjesë deputetët socialistë, ministrat e qeverisë dhe drejtues institucionesh. Mbledhja hapet nga kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili pritet të paraqesë prioritetet kryesore të punës në Kuvend.
Fjalën më pas pritet ta marrë kryeministri Edi Rama, i cili do të fokusohet te reformat dhe projektligjet që pritet të avancohen në periudhën e ardhshme.
Gjatë takimit janë parashikuar edhe raportime nga drejtues institucionesh, ndërsa Arbian Mazniku do të prezantojë ecurinë e reformës territoriale.
Në fokus të diskutimeve janë disa nisma të rëndësishme ligjore, përfshirë Kodin e ri Penal dhe ligjin për referendumin, i cili pritet të dorëzohet së shpejti në Kuvend.
Mbledhja pritet të mbyllet me përcaktimin e hapave konkretë për vijimin e punës parlamentare.










