Të dielën ndryshon ora!

Të dielën ndryshon ora: Akrepat shkojnë 60 minuta përpara

Ndryshimi i orës për kalimin në orën verore po afron. Këtë të diel, më 29 mars, në orën 03:00, akrepat do të lëvizin një orë përpara, duke shënuar 04:00. Kjo do të thotë një orë më pak gjumë, por më shumë dritë natyrale gjatë ditës.

Kjo praktikë zbatohet në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, në bazë të rregullave të përbashkëta për ndërrimin mes orës dimërore dhe asaj verore. Ora verore do të qëndrojë në fuqi deri të dielën e fundit të tetorit, më 25 tetor 2026, kur akrepat do të kthehen sërish pas.

Qëllimi i këtij ndryshimi është kursimi i energjisë dhe shfrytëzimi maksimal i dritës natyrale gjatë muajve më të ngrohtë. Megjithatë, vitet e fundit ka pasur diskutime në nivel europian për mundësinë e heqjes së këtij sistemi.

Për shumicën e qytetarëve, ndryshimi i orës do të kryhet automatikisht në pajisjet elektronike si telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe orët smart. Ndërsa orët analoge apo pajisjet më të vjetra do të kërkojnë rregullim manual.

Ekspertët këshillojnë që gjatë ditëve të para pas ndërrimit të orës, qytetarët të tregojnë kujdes me rutinën e gjumit dhe nivelin e energjisë gjatë ditës, pasi organizmi ka nevojë për kohë për t’u përshtatur.