Mblidhet për herë të parë Bordi i Transparencës për karburantet, pritet vendimi për çmimet

Bordi i Transparencës për karburantet do të zhvillojë sot mbledhjen e tij të parë që prej ngritjes, ku pritet të merret edhe vendimi për çmimet e reja në treg.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, i cili në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë theksoi se bordi po analizon lëvizjet e fundit të çmimeve në treg.

Sipas tij, vendimmarrja do të merret brenda ditës, me qëllim garantimin e transparencës dhe parandalimin e abuzimeve me çmimet e karburanteve.

“Bordi është duke mbledhur informacion mbi ndryshimet e çmimeve dhe do të dalë sot me një vendim. Synimi ynë është të shmangim çdo spekulim në treg dhe të mbrojmë qytetarët nga rritjet e pajustifikuara”, u shpreh Demo.

Autoritetet theksojnë se do të vijojnë monitorimin e tregut dhe janë të gatshme të ndërhyjnë për të minimizuar ndikimin e çmimeve tek konsumatorët.