Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në selinë qendrore të Partisë Socialiste me 12 drejtuesit e rinj politikë në qarqe, pas vendimeve të prezantuara në Asamblenë e PS të mbajtur në Durrës.
Në bazë të riorganizimit, Taulant Balla është caktuar drejtues politik për Tiranën, ndërsa Erion Malaj merr drejtimin në Kukës. Ulsi Manja zhvendoset nga Lezha drejt Dibrës, ndërsa Blendi Klosi kalon nga Dibra në Durrës. Në Shkodër vendoset Enea Karakaçi, ndërsa Ermal Nufi merr drejtimin e Lezhës.
Disa qarqe mbeten pa ndryshime: Arbjan Mazniku në Elbasan, Belinda Balluku në Fier dhe Niko Peleshi në Korçë. Po ashtu, vijojnë në detyrë Mirela Kumbaro në Gjirokastër, Ervin Demo në Berat dhe Bledi Çuçi në Vlorë.
Nga ky riorganizim janë larguar Benet Beci, Emirjana Sako, Elisa Spiropali dhe Eduart Shalsi, të cilët nuk do të jenë më pjesë e drejtimit politik në qarqe.










