5 te rinje te arrestuar nga Policia FIER, shpallet në kërkim një 21-vjeçar

Pesë të rinj janë arrestuar nga Policia, ndërsa një 21-vjeçar është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se lëvizte i armatosur në qytetin e Lushnjës.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë, pas informacioneve operative, kanë ndërhyrë në një lokal në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, ku dyshohej se ndodhej i riu i armatosur.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, në një xhup të lënë në karrigen e tavolinës ku qëndronin disa të rinj, u gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak. Nga verifikimet rezultoi se xhupi dhe arma i përkisnin shtetasit M. S., 21 vjeç, i cili ishte larguar pak minuta më parë.

Në vijim të veprimeve, Policia arrestoi 5 shtetas të rinj, të cilët ndodheshin në tavolinë me 21-vjeçarin dhe nuk bashkëpunuan me autoritetet, duke mos treguar pronësinë e sendit të paligjshëm.

Gjatë kontrollit në banesën e të shpallurit në kërkim, u gjetën gjithashtu fishekë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, municioni luftarak, një automjet dhe 5 telefona celularë.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e 21-vjeçarit.