Tensionet në Lindjen e Mesme, a do të shtrenjtohen biletat e avionit? 

Trazirat e fundit në Lindjen e Mesme dhe pasiguria në ngushticën e Hormuzit kanë ngritur shqetësime për një rritje të mundshme të çmimeve të biletave të avionit, për shkak të shtrenjtimit të naftës. Megjithatë, ekspertët e ekonomisë dhe operatorët e tregut të udhëtimeve vlerësojnë se në afat të shkurtër nuk pritet një ndikim i drejtpërdrejtë në çmimet e fluturimeve.

Sipas eksperteve të ekonomisë, karburanti përbën rreth një të tretën e kostove të kompanive ajrore, ndaj çdo rritje e çmimit të naftës ndikon automatikisht në shpenzimet e tyre. Megjithatë, nëse kriza mbetet afatshkurtër, kompanitë kanë mundësi ta absorbojnë këtë kosto për një periudhë nga 4 deri në 8 javë, pa e reflektuar menjëherë në çmimet e biletave.

Nëse konflikti nuk përshkallëzohet dhe situata stabilizohet brenda një periudhe të shkurtër, nuk pritet rritje e menjëhershme e çmimeve të transportit ajror.

Nga ana tjetër, për industrinë e turizmit problemi nuk lidhet vetëm me çmimin e karburantit, por edhe me pasigurinë që krijojnë konfliktet, e cila ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrjen e udhëtarëve.

Operatorët e agjencive turistike theksojnë se në periudha të tilla bie ndjeshëm dëshira për të udhëtuar, duke sjellë ulje të menjëhershme të rezervimeve, që në disa raste mund të arrijnë deri në 70–80%. Kjo ndodh jo vetëm për destinacionet pranë zonave të konfliktit, por edhe për udhëtime të tjera më të largëta.

Në këto kushte, kompanitë ajrore shpesh nuk rrisin menjëherë çmimet, por përpiqen të stimulojnë udhëtimet përmes ofertave dhe promocioneve, për të përballuar rënien e kërkesës.

Sipas ekspertëve të tregut të udhëtimeve, vetëm nëse kriza zgjat për një periudhë të gjatë dhe çmimet e naftës mbeten të larta, atëherë linjat ajrore mund të detyrohen ta transferojnë këtë kosto edhe te pasagjerët përmes rritjes së çmimeve të biletave