Punimet e ujësjellësit lënë pa drita Lungomaren në Vlorë, rreth 300 abonentë pa energji

Mbrëmjen e së martës, zona e Lungomares në Vlorë është përballur sërish me ndërprerje të energjisë elektrike, si pasojë e dëmtimit të linjave të korrentit gjatë punimeve për shtrimin e rrjetit të ujësjellësit.

Sipas informacioneve, gjatë gërmimeve janë prekur kabllot elektrike, duke lënë pa energji rreth 300 abonentë në këtë zonë. Menjëherë pas konstatimit të defektit, në terren kanë mbërritur grupet e OSSHE, të cilat kanë nisur punën për rikthimin e furnizimit me energji.

Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër, ku firma që po kryen punimet për rrjetin e ujësjellësit shkakton dëmtime në infrastrukturën elektrike, duke krijuar shqetësim te banorët dhe bizneset e zonës.

Banorët kërkojnë më shumë kujdes dhe koordinim mes institucioneve, për të shmangur përsëritjen e këtyre situatave.