Rrugët shqiptare nën vëzhgim inteligjent: dalin rregullat për menaxhimin modern të trafikut
Qeveria ka hedhur një tjetër hap drejt dixhitalizimit të rrugëve dhe rritjes së sigurisë në qarkullim. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar një udhëzim të ri që përcakton mënyrën e zbatimit të sistemeve inteligjente të transportit në të gjithë rrjetin rrugor të vendit.
Ky kuadër i ri synon të krijojë një rrjet shërbimesh që do t’u japë drejtuesve të mjeteve dhe operatorëve informacion në kohë reale për trafikun, kushtet e rrugës dhe incidentet. Sistemet do të mbulojnë edhe udhëtimet multimodale, paralajmërimet e hershme për rrezik, si dhe funksionin e eCall, që lejon automjetet të dërgojnë automatikisht thirrje emergjence në rast aksidenti. Po ashtu, parashikohet ngritja e shërbimeve për parkime të sigurta për automjetet e transportit tregtar.
Të dhënat e mbledhura nga kamerat, sensorët dhe sistemet e monitorimit do të publikohen dhe ndahen përmes një platforme të vetme kombëtare, të administruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, duke u bërë të aksesueshme si për institucionet ashtu edhe për operatorët privatë.
Udhëzimi vendos detyrime të reja për administratën dhe kompanitë që operojnë në këtë fushë, të cilat do të duhet të përditësojnë dhe standardizojnë informacionin mbi rrugët, qarkullimin dhe ngjarjet në trafik. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mbrojtjes së privatësisë, duke kërkuar që të dhënat personale të përpunohen vetëm në formë të anonimizuar ose të koduar, në përputhje me ligjin.
Miratimi i këtij kuadri vjen në një kohë kur Shqipëria po përpiqet të afrohet me praktikat e Bashkimit Europian për menaxhimin modern të trafikut dhe uljen e aksidenteve. Sipas raportit të fundit të Komunitetit të Transportit, vendi ka arritur rreth 44% të nivelit të zbatimit të sistemeve inteligjente. Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut tashmë është ngritur dhe pajisur, ndërsa po vijon instalimi i kamerave dhe teknologjive të reja përgjatë afro 200 kilometrave të akseve kryesore rrugore.










