Shqipëria shet jashtë zarzavate, por blen fruta të shtrenjta nga importi

Shqipëria po shfaq një kontrast të fortë në tregtinë bujqësore: nga njëra anë po forcon pozitat si eksportuese e zarzavateve, ndërsa nga ana tjetër po thellon varësinë nga importi i frutave, që po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme për konsumatorët.

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se vendi importoi rreth 69 mijë ton zarzavate, me vlerë 4.35 miliardë lekë, për të mbuluar nevojat e tregut vendas në periudha kur prodhimi vendas nuk mjafton. Por në të njëjtën kohë, eksportet e zarzavateve ishin shumëfish më të larta, duke arritur në 175 mijë ton dhe një vlerë prej 14.1 miliardë lekësh. Kjo diferencë e madhe tregon se Shqipëria ka ndërtuar një sektor konkurrues, i cili jo vetëm plotëson tregun e brendshëm, por gjeneron edhe të ardhura të konsiderueshme nga jashtë.

Ndryshe paraqitet situata te frutat. Në vitin 2025, importet e frutave arritën në 8.32 miliardë lekë dhe afro 99 mijë ton, një nivel rekord që pasqyron rritjen e konsumit dhe kërkesën për produkte jashtë sezonit, si edhe për fruta tropikale. Eksportet, megjithëse janë rritur vitet e fundit, mbetën në 6.76 miliardë lekë dhe 139 mijë ton, çka do të thotë se Shqipëria nuk arrin të balancojë dot këtë kapitull të tregtisë.

Edhe pse eksportohen më shumë fruta në peshë, ato shiten me çmim më të ulët për kilogram, ndërsa frutat e importuara hyjnë në treg me çmime më të larta. Kjo bën që në terma financiarë bilanci të mbetet negativ dhe konsumatori shqiptar të paguajë më shumë për frutat që blen.

Në thelb, Shqipëria po përfiton nga eksporti i zarzavateve, por po humbet në tregtinë e frutave, një pabarazi që po ndikon si te fermerët vendas, ashtu edhe te çmimet në tregjet e vendit.