Fluks fëmijësh në Pediatrinë e Fierit, 120 raste me gripin A në 24 orë

Një fluks i lartë fëmijësh është regjistruar në shërbimin e Pediatrisë në Fier gjatë 24 orëve të fundit. Burime nga spitali bëjnë me dije se 120 pacientë të vegjël janë paraqitur për vizita ambulatore, të prekur nga virusi gripal i tipit A.

Situata ka sjellë edhe rritje të shtrimeve në spital, ku 35 fëmijë kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Mjekët bëjnë me dije se simptomat e këtij virusi janë të ngjashme me gripin e zakonshëm, por në shumë raste shfaqen më të forta, me temperaturë shumë të lartë deri në 40 gradë, dhimbje koke, kollë dhe këputje trupore.

Mjekët u bëjnë apel prindërve të tregojnë kujdes të shtuar, pasi virusi ka një kohëzgjatje relativisht të gjatë dhe mund të sjellë komplikacione, veçanërisht tek fëmijët me imunitet të dobët. Këshillohet shmangia e ambienteve të mbipopulluara, ndjekja e higjienës personale dhe paraqitja e menjëhershme te mjeku në rast përkeqësimi të simptomave.