Fermerët që shesin prodhimet e tyre bujqësore te grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmet e certifikuara duhet të nisin grumbullimin e autofaturave, për të përfituar kompensimin 10% nga skema e re e TVSH-së.
Kjo masë parashikohet në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’”, të miratuar nga Parlamenti, i cili përcakton se kompensimi i TVSH-së për fermerët do të llogaritet mbi vlerën e faturave të lëshuara nga blerësi i produkteve bujqësore.
Sipas ligjit, fermerët e pajisur me NIPT tatimor, por që nuk janë subjekt i TVSH-së dhe nuk janë të regjistruar në QKB, nuk lëshojnë vetë faturë shitjeje. Në këto raste, autofatura lëshohet nga blerësi – grumbulluesi, përpunuesi ose agroturizmi i certifikuar – dhe shërben si bazë për përfitimin e kompensimit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga viti 2018 deri në shtator 2025 janë pajisur me NIPT tatimor rreth 110 mijë fermerë në të gjithë vendin.
Autofatura e lëshuar në emër të fermerit do të përdoret për llogaritjen e kompensimit, i cili përfaqëson 10% të vlerës së saj dhe synon të mbulojë pjesërisht TVSH-në e paguar për inputet bujqësore, si plehrat kimike, farat dhe fidanët.
Për shembull, nëse një fermer shet produkte bujqësore me vlerë 1 000 euro dhe për këtë shitje lëshohet autofatura përkatëse, ai do të përfitojë një kompensim prej 100 eurosh.
Kërkesa për kompensim do të paraqitet dy herë në vit, për periudhat janar–qershor dhe korrik–dhjetor.
Gjatë një takimi me fermerët në Elbasan, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, u bëri thirrje fermerëve të grumbullojnë autofaturat për të përfituar nga skema.
“Fermerët që shesin prodhimet e tyre te grumbulluesit, përpunuesit ose agroturizmet do të kompensohen në masën 10% të vlerës së faturës. Këto fatura do të mblidhen dhe do të dorëzohen çdo 6 muaj në tatime, ndërsa shuma do të kthehet direkt në llogarinë bankare të fermerit”, u shpreh ministri.
Ndërkohë, administrata tatimore ka sqaruar se nga viti i ardhshëm fermerët pritet të aplikojnë për kompensimin përmes platformës e-Albania, ku do të konfirmojnë online çdo autofaturë të lëshuar në emrin e tyre. Pas verifikimit, shuma e kompensimit do të derdhet në llogarinë bankare të fermerit brenda 30 ditëve.
Përfitues të skemës janë fermerët që nuk janë subjekt i TVSH-së dhe që nuk ngarkojnë TVSH në shitjen e produkteve të tyre, por që njëkohësisht nuk kanë të drejtë të rimbursojnë TVSH-në e paguar për blerjet.
Skema e re synon të lehtësojë barrën financiare të fermerëve dhe të mbështesë sektorin bujqësor përmes kompensimit indirekt të TVSH-së së paguar për inputet bujqësore.











