Ballina Shqiperia ime Protesta e fermerëve në Greqi- Radhë të gjata në Kakavijë

Protesta e fermerëve në Greqi- Radhë të gjata në Kakavijë

Situatë e rënduar është shënuar që në orët e para të mëngjesit në pikën kufitare të Kakavijës, ku qindra mjete dhe udhëtarë janë bllokuar për orë të tëra. Udhëtarët raportojnë se radha është zgjeruar ndjeshëm dhe lëvizja e mjeteve është tepër e kufizuar.

Për shumë qytetarë që udhëtojnë drejt Greqisë, pritja e gjatë po krijon shqetësime të mëdha, sidomos për familjet me fëmijë dhe ata që duhet të paraqiten në orare pune. Sipas udhëtarëve, sportelet e palës greke po funksionojnë me kapacitet minimal, ndërsa procedurat e kontrollit po ecin shumë ngadalë, duke shkaktuar bllokim të konsiderueshëm të qarkullimit.

Ndërkohë, pala shqiptare ka vijuar punën normalisht dhe ka përballuar fluksin e lartë të mjeteve, por vonesat po krijohen kryesisht nga ana greke. Situata pritet të normalizohet nëse autoritetet e Greqisë hapin sportele shtesë për përpunimin e dokumenteve.

Njoftimi zyrtar i Policisë Kufitare Kakavijë

Policia Kufitare Kakavijë bën me dije se, sipas informacioneve të marra nga Policia Kufitare Greke, sot nga ora 12:00 deri në 18:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar. Shkak është protesta e fermerëve grekë, e cila do të pengojë qarkullimin normal të mjeteve.

Gjatë këtij intervali orar do të lejohen të kalojnë vetëm automjetet që paraqesin emergjenca shëndetësore.

Autoritetet shqiptare apelojnë qytetarët që kanë planifikuar udhëtimin drejt Greqisë të marrin masa dhe të informohen para nisjes, deri në normalizimin e situatës.