Ballina Shqiperia ime Afera “Bankers” merr përmasa të reja: Hetimet zgjerohen drejt tatimeve, doganave dhe...

Afera “Bankers” merr përmasa të reja: Hetimet zgjerohen drejt tatimeve, doganave dhe zyrtarëve lokalë

Afera e njohur si “Bankers” po merr përmasa edhe më të mëdha, teksa hetimet e nisura fillimisht nga Prokuroria e Fierit kanë nxjerrë në dritë një dëm ekonomik që arrin në dhjetëra miliona euro. Skemat e dyshuara mashtruese, që lidhen me abuzimet me TVSH-në, detyrimet fiskale dhe deklarimet e humbjeve për vite me radhë, kanë çuar në masa sigurie për disa ish-zyrtarë të kompanisë dhe persona të përfshirë në këto operacione.

Pas ekzekutimit të arrestimeve të para, çështja është transferuar dhe zgjeruar ndjeshëm nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila tashmë po heton jo vetëm menaxhimin e kompanisë Bankers, por edhe rolin e institucioneve shtetërore që për vite me radhë duhet të kishin kontrolluar aktivitetin e saj financiar.

Dy prokuroret e SPAK, Anita Jella dhe Enkeleida Millonai, po analizojnë përgjegjësitë e një vargu të gjerë strukturash, përfshirë administratën tatimore, doganat, zyrat e konsulencave dhe organet e financave. Dyshohet se zyrtarë të këtyre institucioneve kanë lejuar krijimin dhe funksionimin e skemave mashtruese ku, sipas hetimeve paraprake, kompania deklaronte humbje fikse me qëllim shmangien e taksave, duke përfituar ndërkohë miliona euro.

Sipas burimeve nga hetuesit, në fokus janë disa vepra të rënda penale, përfshirë:

  • Krijimin e skemave mashtruese të TVSH-së
  • Fshehjen e të ardhurave
  • Pastrimin e produkteve të veprës penale
  • Shpërdorimin e detyrës
  • Moskryerjen e detyrave nga organet tatimore
  • Korrupsionin pasiv të zyrtarëve të lartë
  • Veprimtari kriminale nga grupi i strukturuar

Hetimet po zgjerohen gjithashtu mbi veprimet dhe mosveprimet e drejtuesve të doganave dhe administratës tatimore, pasi dyshohet se kanë lejuar që skemat e Bankers të operonin për vite pa u vënë në dukje nga institucionet përgjegjëse.

Zgjerimi i hetimeve konsiderohet nga burime të drejtësisë si një nga operacionet më të rëndësishme të luftës kundër korrupsionit dhe abuzimeve fiskale në sektorin e energjisë dhe hidrokarbureve.

SPAK ka paralajmëruar se hetimet janë në fazë të avancuar dhe priten zhvillime të tjera, ndërsa fokusi mbetet tek identifikimi i të gjithë zinxhirit të përgjegjësisë — nga ish-zyrtarët e kompanisë, te punonjësit e administratës, e deri tek zyrtarët vendorë që dyshohet se kanë qenë pjesë e skemave.