Pas vendimit të SPAK për ta marrë të pandehur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, debati publik është ndezur edhe më shumë, ndërsa një pjesë e mediave dhe rrjeteve sociale vijojnë të publikojnë komente e interpretime pa pritur një vendim përfundimtar nga Gjykata e Posaçme.
Ekspertë të drejtësisë dhe të komunikimit publik tërheqin vëmendjen se fenomeni i njohur si “gjyqi mediatik” po intensifikohet, duke cenuar parimet bazë të procesit të rregullt ligjor. Sipas tyre, fakti që një person merret i pandehur nuk do të thotë se është fajtor, pasi vetëm vendimi i gjykatës përcakton përgjegjësinë penale.
“Publikimi i të dhënave të pakonfirmuara ose komenteve që paracaktojnë fajësinë krijon presion mbi institucionet dhe dëmton figurën e personit të hetuar. Deri në vendimin e gjykatës, çdo individ gëzon prezumimin e pafajësisë,” shprehen juristët.
Ndërkohë, vërehet se informacionet rreth dosjes qarkullojnë në portale dhe rrjete sociale përpara komunikimeve zyrtare nga SPAK, çka sipas ekspertëve të fushës përbën rrezik për nxjerrje të sekretit hetimor — një vepër që parashikohet dhe dënohet nga Kodi Penal, megjithëse rrallë herë hetohet në praktikë.
Analistët e medias theksojnë se debati publik duhet të bazohet vetëm te faktet e verifikuara, ndërsa institucionet duhet të komunikojnë me transparencë e në kohë për të shmangur hapësirën për spekulime. Nga ana tjetër, ata i rikujtojnë redaksitë për detyrimin profesional që të mos paragjykojnë personat e përfshirë në hetime.
Ndërkohë, si Balluku, ashtu edhe Kryeministria, e kanë çuar çështjen e pezullimit të saj nga detyra në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit.
Procesi ndaj ish-zv.kryeministres pritet të vijojë në Gjykatën e Posaçme, ndërsa vëmendja e opinionit publik mbetet e lartë. Ekspertët kujtojnë se debati duhet të qëndrojë brenda kufijve ligjorë dhe etikë, pavarësisht përmasës politike të çështjes.










