Në një prononcim të mbushur me simbolikë, përfaqësuesja e BE-së Marta Kos kujtoi takimin e parë me kryeministrin Edi Rama, duke sjellë në vëmendje një dhuratë të veçantë: një kanaçe Coca-Cola të vendosur në një kuti me mbishkrimin “Një herë e një kohë ishte dhurata më e çmuar edhe kur ta jepnin bosh”. Sipas saj, dhurata ishte edhe më domethënëse falë skicimeve të Ramës.
Kos tha se për të kremtuar këtë moment historik të hapjes së kapitujve të negociatave, delegacioni europian kishte zgjedhur një dhuratë festive që lidhet me kujtimet e brezave të rritur “pas perdes së hekurt”. Ajo solli në vëmendje edhe një episod nga libri “Free” i autores Lea Ypi, ku përshkruhet një konflikt mes dy familjeve shqiptare për një Coca-Cola — një metaforë për mungesën, tranzicionin dhe përpjekjet 40-vjeçare të Shqipërisë drejt demokracisë.
“Liria ka qenë udhërrëfyesi ynë,” u shpreh Kos. “Keni arritur shumë. Le të sigurohemi që liria të qëndrojë me qytetarët tuaj. Një Shqipëri e lirë në një Europë të lirë – kjo është ajo që duam të përfundojmë së bashku. Urime Shqipëri! Tani mund të hamë edhe tortë për këtë arritje madhështore.”
Kryeministri Edi Rama, me humorin e tij karakteristik, iu përgjigj duke nënvizuar se, ndryshe nga kapitujt dhe procedurat teknike ku BE-ja mund të surprizojë Shqipërinë, me dhuratat nuk i mposht dot.
“Lini të shtoj edhe unë diçka që mungon,” tha Rama, duke i dorëzuar Kos një shishe verë autoktone shqiptare me etiketë të skicuar prej tij. “Nuk është e orkestruar,” shtoi ai.
Ceremonia u mbyll në një atmosferë festive, duke shënuar simbolikisht hapjen e kapitujve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.











