Ballina Shqiperia ime INSTAT: Aktiviteti ekonomik po përqendrohet në kryeqytet, FIERI dhe qarqet e tjera...

INSTAT: Aktiviteti ekonomik po përqendrohet në kryeqytet, FIERI dhe qarqet e tjera humbasin terren

Aktiviteti ekonomik në Shqipëri po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt zonës metropolitane Tiranë–Durrës, ndërsa qarqe si Fieri dhe të tjera periferike po humbasin peshë në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Të dhënat zyrtare rajonale të INSTAT për vitin 2023 e konfirmojnë qartë këtë tendencë.

Sipas statistikave, Tirana kontribuoi me 44% të PBB-së kombëtare në vitin 2023, duke rritur peshën e saj me 1.2 pikë përqindje që prej vitit 2019. Durrësi ka shënuar rritje me 0.6 pikë përqindje në të njëjtën periudhë.

Ndërkohë, qarqe të tjera bregdetare si Vlora dhe Berati kanë shënuar rritje modeste – përkatësisht +0.2 dhe +0.1 pikë përqindje. Shkodra ka ruajtur të njëjtën peshë ekonomike.

Në anën tjetër, pjesa më e madhe e qarqeve të tjera ka humbur terren. Korça regjistron rënien më të madhe me –0.7 pikë përqindje, ndërsa Fieri, Gjirokastra dhe Lezha kanë rënë me –0.3 pikë përqindje secili. Kukësi, Dibra dhe Elbasani kanë pësuar tkurrje më të lehtë.

Përqendrimi i zhvillimit në Tiranë dhe Durrës lidhet me investimet e mëdha publike e private, infrastrukturën më të zhvilluar, praninë e institucioneve qendrore dhe zgjerimin e sektorëve të shërbimeve, IT-së, ndërtimit dhe turizmit. Durrësi përfiton nga porti më i madh i vendit dhe rritja e turizmit bregdetar.

Ndërkohë, rënia e qarqeve si Fieri, Gjirokastra, Korça apo Lezha lidhet me mungesën e investimeve të reja, emigrimin e popullsisë dhe tkurrjen e sektorëve tradicionalë si bujqësia dhe përpunimi.

Ky përqendrim ekonomik sjell sfida si rritja e presionit mbi strehimin, trafikun dhe shërbimet publike në Tiranë–Durrës, ndërsa zonat e tjera rrezikojnë të mbeten pas. Procesi i anëtarësimit në BE do të kërkojë politika të forta zhvillimi rajonal për të balancuar rritjen ekonomike në të gjithë vendin.