Personi ne foto eshte Muçi Shaljani Sheqeri 40 vjeç, i cili mbeti i plagosur në atentatin e ndodhur ditën e sotme te rrethrrotullimi i Rinasit ku humbi jetën Gilamando Dani, miku i Emiljano Shullazit.
Muçi Shaljani ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje kritike për jetën pasi është qëlluar dhe në kokë dhe ka dëmtime të rënda të trurit.
Mesohet se Shaljani ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Ai drejtonte automjetin tip Benz në të cilin udhëtonte edhe Gilmando Dani në momentin që ndaj tyre është qëlluar me breshëri duke shkaktuar vdekje e menjëhershme të Dani dhe plagosjen rëndë të 40-vjeçarit.
Sipas burimeve nga spitali i Traumes ne Tirane , gjendja e 40-vjeçarit mbetet e rëndë, ndërsa ai është nën kujdesin intensiv të ekipit mjekësor.
Kujtojmë se një atentat me armë zjarri ndodhi këtë të martë rreth orës 14:20 në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit.
Viktimë e ngjarjes mbeti Gilmando Dani, 47 vjeç, i njohur për lidhjet me Emiljano Shullazin, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur Muçi Shaljani (Sheqeri), rreth 40 vjeç.
Shaljani dhe Dani po udhëtonin me një automjet tip “Mercedes Benz S” kur ndaj tyre është hapur zjarr nga persona ende të paidentifikuar.
Si pasojë e breshërisë së plumbave, Dani humbi jetën në vend, ndërsa Shaljani u transportua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, ndërsa pak më vonë është gjetur një automjet i djegur në fshatin Halil, që dyshohet se është përdorur prej tyre për të shpëtuar nga vendngjarja.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset kryesore që lidhin Tiranën me Fushë-Krujën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e plota të atentatit dhe për të identifikuar autorët.











