Projektbuxheti i shtetit për vitin e ardhshëm ka parashikuar mbi 1 miliardë euro për shëndetësinë dhe mirëqënien sociale, ose afro 4% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Në një videomesazh në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama, u shpreh ndër të tjera se, për herë të parë, hapet një linjë financimi nga buxheti i shtetit vetëm për luftën ndaj kancerit, duke futur 15 milionë euro ekstra në shërbim të pacientëve të onkologjikut.
Ndërkohë, kreu i ekzekutivit foli edhe për rritjen e pagave për punonjësit e shëndetësisë
4,600 mjekë, infermierë dhe farmacistë, si dhe 14,200 teknikë dhe laborantë, do të përfitojnë një rritje të re pagash, çka është edhe një mesazh i qartë për gjeneratën e re të bluzave të bardha, se në Shqipëri qëndrohet dhe punohet me dinjitet dhe se Shqipëria 2030 do të bëhet vendi, ku ikja do të jetë thjesht zgjedhje individuale, jo imponim nga pamundësia për të qëndruar dhe punuar këtu.
Gjithashtu, do të vijojnë edhe investimet në modernizimin e infrastrukturës spitalore, me spitalin e ri të Korçës, urgjencën e Durrësit, spitalet bashkiake të Matit e Tropojës dhe të tjera me radhë. Por, 2026-a është edhe viti i hyrjes së inteligjencës artificiale në shërbimin shëndetësor
2026 është edhe viti i hyrjes së inteligjencës artificiale në shërbimin tonë shëndetësor, përmes një kompanie të përbashkët, që shteti shqiptar po krijon me një prej ekselencave të inteligjencës artificiale në shëndetësinë europiane, ndërkohë që, me financimet e siguruara nga fondet europiane, ne do të krijojmë ekosistemin dixhital të gatshëm për inteligjencën artificiale, duke hapur shtigjet e reja të diagnostikimit me imazhe të analizave parashikuese dhe të ndërveprueshmërisë në rang kombëtar të sistemit shëndetësor digjital në përputhje me axhendën digjitale të Bashkimit Europian.
Sipas kryeministrit, viti i ardhshëm do të hapë siparin e partneritetit strategjik të QSUT-së me spitalin prestigjioz San Raffaele të Milanos, një ndër më të mirët në botë, duke nisur procesin e një transformimi që do ta bëjë QSUT-në, 2030 një qendër rajonale të shëndetit me prestigj në të gjithë Ballkanin Perëndimor.











