Ballina Aktualitet Rama-Shqipëria drejt shoqërisë pa para fizike deri në vitin 2030

Rama-Shqipëria drejt shoqërisë pa para fizike deri në vitin 2030

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria synon të bëhet një shoqëri pa para në dorë (“cashless”) deri në fund të kësaj dekade. Gjatë një takimi me inovatorë dhe profesionistë të teknologjisë në Berat, Rama theksoi se qëllimi është që të gjitha transaksionet financiare të bëhen në mënyrë digjitale.

“Kjo është plotësisht e realizueshme nëse vizatojmë siç duhet rrugën. Do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash”, tha ai.

Ai bëri thirrje që dokumentet e bashkëpunimit mes qeverisë dhe sipërmarrjeve teknologjike të hartohen me kreativitet dhe pa kufizime, për t’u kthyer më pas në plan pune konkret, pas miratimit në Kuvend.

Në këtë bashkëbisedim, ekspertët propozuan që qeveria të bëhet pjesë aktive e sektorit të teknologjisë, për të ndihmuar në rritjen e besimit dhe zhvillimin e start up-eve me synim tregun ndërkombëtar.