Ndërsa Tirana po bën përgatitjet e fundit për të mikpritur të premten, 16 maj, Komunitetin Politik Europian, në sheshin “Skënderbej” është ngritur “Shtëpia e Evropës”.
E vendosur pas monumentit të heroit tonë kombëtar, në “Shtëpinë e Evropës” do të mblidhen kryetarë shtetesh dhe qeverish së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare, pjesëmarrës në këtë samit të rëndësishëm.Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotot e një grupi turistësh të cilëve u ka ngjallur interes struktura e ngritur enkas për këtë event e veshur e gjitha me vizatimet e fëmijëve shqiptarë që tregojnë se si e shohin ata Europën.
“Kuriozitet turistësh. ‘Shtëpia e Europës’ nën hijen e Skënderbeut, ku të premten, 16 maj, do të mblidhen udhëheqësit e mbarë kontinentit…”, shkruan Rama, krahas fotove.
Shqipëria do të mikpresë në 16 maj Samitin e Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje historike që pritet të mbledhë në Tiranë liderët e vendeve evropiane.Ndërkohë një ditë para Samitit të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri, liderët e Këshillit Europian dhe të Bashkimit Europian do të mblidhen në një darkë pune në Tiranë me udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.