Ballina Shqiperia ime Tuneli Llogarasë – ARRSH shpall kompaninë që do jetë përgjegjëse për sigurinë...

Tuneli Llogarasë – ARRSH shpall kompaninë që do jetë përgjegjëse për sigurinë dhe mirëmbajtjen

Me një ofertë prej rreth 230 mln lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompaninë fituese për mirëmbajtjen e tunelit të Llogarasë në 4 vitet e ardhshme. Kontraktor do të jetë bashkimi i operatorëve “A-M” dhe “Gjoka Konstruksion”, që do të ketë rolin e “Menaxherit të Tunelit”.

Sipas dokumenteve të tenderit, konsorciumi do të sigurojë mbi të gjitha sigurinë, efektivitetin dhe eficiencën në punë si dhe operimin sa më ekonomik të tunelit dhe akseseve të tij. Po ashtu, do të duhet të sigurojë mirëmbajtje efektive, cilësore dhe ekonomike për makineritë operuese dhe të gjitha punimet e montimit që janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e punës në tunel.

Tuneli i Llogarasë u hap për kalimin e automjeteve përgjatë sezonit veror të vitit të kaluar. Ndërkohë që, në muajin tetor u mbyll sërish, për të përmbyllur punimet edhe në tunelin e emergjencës. Dorëzimi final i kësaj vepre infrastrukturore parashikohet të bëhet përgjatë këtij viti, teksa kalimi do të jetë me pagesë. Gjithsesi, deri më tani nuk është bërë ende me dije sesa do të jetë tarifa që do të aplikohet.

Ndërtimi i tunelit të Llogarasë nisi në nëntor të vitit 2021 përmes një kontrate me vlerë 17 mld lekë. Ai ka një gjatësi prej 6 km dhe përbëhet nga tuneli kryesor dhe ai i emergjencës.

Ai është pjesë e seksionit rrugor Orikum – Himarë dhe fillon 500 m në veri – perëndim të urës së Shën Elizës në segmentin rrugor Dukat – Llogara dhe përfundon 1.3 km në perëndim të urës së Palasës, duke evituar tërësisht Qafën e Llogarasë.