87 mln euro për naftë pa taksa në bujqësi në 5 vite, skema mbyllet në 2026

Gjatë pesë viteve të fundit, shteti shqiptar ka akorduar rreth 87 milionë euro për subvencionimin e naftës në bujqësi, duke u mundësuar fermerëve furnizimin pa përfshirjen e taksave. Skema, e nisur në vitin 2021, synonte uljen e kostove dhe rritjen e prodhimit në sektorin bujqësor, si dhe formalizimin e tij.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit të kaluar fermerët paguan rreth 76.3 lekë për litër naftë, ndërsa 97.8 lekë për litër u mbuluan nga buxheti i shtetit. Çmimi referencë i naftës ishte 174.1 lekë/litër me TVSH, sipas INSTAT.

Rritje e përfituesve ndër vite

Skema ka përfshirë një numër në rritje fermerësh. Në vitin 2021 përfituan rreth 19,225 fermerë, ndërsa në 2022 ky numër u rrit në 34,731. Kulmi u arrit në vitin 2023, me mbi 54 mijë përfitues dhe 12.8 milion litra naftë të subvencionuar. Në vitet 2024 dhe 2025 përfituan përkatësisht 52,195 dhe 50,062 fermerë.

Ndikimi në formalizim

Përfitimi nga skema ishte i kushtëzuar me regjistrimin dhe pajisjen me NIPT, duke e kthyer atë edhe në një instrument për formalizimin e sektorit bujqësor. Kjo ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe kontrollit mbi aktivitetin në këtë sektor.

Ndryshimet për vitin 2026

Nga viti 2026, skema e naftës pa taksa nuk do të vijojë më. Qeveria ka vendosur të riorientojë mbështetjen drejt formave të tjera financimi, si kompensimi me 10% për faturat, rritja e fondeve për blegtorinë dhe mbështetja për mbrojtjen biologjike në sera.

Kjo e fundit synon reduktimin e përdorimit të pesticideve, përmes metodave më të qëndrueshme dhe përdorimit të insekteve të padëmshme për kontrollin e dëmtuesve.