Brenda pak më shumë se dy vjetësh, qielli do të errësohet dhe miliona njerëz do të përjetojnë heshtjen e një muzg gjashtëminutësh mesditor.Ky nuk është një skenar fantastiko-shkencor, por eklipsi total diellor më i madh i shekullit të 21-të, i cili pritet të ndodhë më 2 gusht 2027.Astronomë profesionistë dhe amatorë po përgatiten me entuziazëm për këtë fenomenin unik, i cili nuk do të përsëritet në kushte kaq ideale deri në vitin 2114.
Eklipsi i 2 gushtit 2027 nuk është thjesht total, por për shkak të një përputhjeje të rrallë gjeometrike, kohëzgjatja e tij do të arrijë 6 minuta e 23 sekonda duke ja lënë pas atë të vitit 1991.
Hija e Hënës do të përshkojë mbi 15,000 kilometra, duke filluar nga Oqeani Atlantik, përmes Mesdheut, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Lindore, për të përfunduar në thellësitë e Oqeanit Indian.
Ku do të jetë i dukshëm fenomeni?
‘Vija qendrore’ e eklipsit do të ofrojë pamje spektakolare në shumë zona:
-Në Spanjë (Cadiz, Malaga) dhe Marok (Tangier, Tetouan), eklipsi total do të zgjasë më shumë se 4 minuta.
-Në Libi dhe Bengazi, deri në 5 minuta.
-Në Egjipt, në shkretëtirë, vetëm 40 km në juglindje të Luksorit, do të arrihet koha maksimale e errësirës totale: 6 minuta e 23 sekonda.
Nga aty, hija do të vazhdojë drejt Detit të Kuq, Arabisë Saudite (Xheda, Mekë), Jemenit, Somalisë dhe më pas mbi ujërat e Oqeanit Indian.
Jashtë zonës së totalitetit, një eklips i pjesshëm do të jetë i dukshëm në pothuajse gjithë Evropën, Afrikën Veriore dhe Lindore, si dhe pjesën më të madhe të Azisë Perëndimore.
Pse zgjat kaq shumë? Shpjegimi shkencor
Kohëzgjatja e eklipsit varet nga tre faktorë kryesorë:
–Distanca e Hënës nga Toka: Sa më afër të jetë Hëna, aq më e gjatë është hija.
–Distanca e Tokës nga Dielli: Sa më larg të jetë Toka nga Dielli, aq më i vogël duket diametri i Diellit.
–Gjeometria orbitale: Kur hija kalon ekuatorin, lëviz më ngadalë mbi sipërfaqen e Tokës.
Në vitin 2027, të tre këta faktorë përputhen në mënyrë pothuajse perfektë, Hëna është më afër, Toka është më larg Diellit, dhe hija kalon mbi rajonet ekuatoriale, duke siguruar një spektakël me kohëzgjatje dhe stabilitet të jashtëzakonshëm.
Luxori në Egjipt, duke u njohur si qyteti i faraonëve dhe tempujve të lashtë, pritet të jetë epiqendra globale e vëzhgimit atë ditë.
Agjencitë turistike kanë nisur rezervimet pranë tempujve të Ramsesit II dhe Hatshepsutit, duke e bërë vendin ideal për astrofotografi dhe dashamirës të astronomisë.