Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025 vijon me ritme intensive disbursimin e fondeve për fermerët në të gjithë vendin. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), deri më tani kanë përfituar financim 52,589 fermerë, të cilët janë shpallur fitues në masat e ndryshme të skemës.
Nga fondi total prej 3.2 miliardë lekësh, deri tani janë shpërndarë 2.1 miliardë lekë, apo rreth 21 milionë euro, ndërkohë që pagesat për përfituesit e tjerë vijojnë të jenë në proces.
Skema Kombëtare 2025 përfshin 8 masa kryesore, që mbulojnë:
- tufën bazë të matrikulluar të gjedhëve dhe të imtave,
- zhvillimin e bletarisë,
- mbështetjen për farë, fidanë dhe inpute të tjera bujqësore,
- kultivimin e bimëve mjekësore-aromatike,
- fermat organike,
- certifikimin Global GAP,
- dhe mbështetjen me naftë falas për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Pikërisht skema e naftës regjistron edhe numrin më të lartë të përfituesve, ku mbi 37 mijë fermerë kanë marrë fondet në llogaritë e tyre bankare.
Në total, për Skemën Kombëtare 2025 janë regjistruar 69,917 aplikime në portalin e-Albania, nga fermerë dhe Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB). Interesi më i madh ka qenë për skemën e naftës me 52,837 aplikime, ndërsa një kërkesë e lartë është vërejtur edhe për masat në blegtori dhe bletari.
Për masat 1–7, AZHBR njofton se rezultojnë 7,272 fermerë përfitues.
Sipas institucionit, skema synon të ulë kostot e prodhimit, të rrisë rendimentin, si dhe të fuqizojë prodhimin “Made in Albania”, duke ndihmuar në rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.
Aplikimet për Skemën Kombëtare u hapën më 14 prill 2025 dhe u mbyllën më 30 maj 2025. Në këtë skemë vijon të ketë prioritet mbështetja e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, të cilat përfitojnë në masën 100%.
Ndërkohë, gjatë vitit 2024, mbi 67 mijë fermerë në të gjithë vendin kanë përfituar financime nga skema e subvencioneve në bujqësi.











