Ballina Shqiperia ime 45-vjeçarit i ngec bluza në kangjellat rrethues të banesës dhe mbytet aksidentalisht

45-vjeçarit i ngec bluza në kangjellat rrethues të banesës dhe mbytet aksidentalisht

Një ngjarje tragjike është shënuar në orët e para të mëngjesit në fshatin Plasë të bashkisë Maliq, ku një 45-vjeçar është gjetur i pajetë në rrethana që po hetohen.

Sipas të dhënave paraprake, trupi i viktimës është gjetur i varur në kangjellat e murit rrethues të një banese. Dyshohet se ai ka tentuar të kalojë në oborrin e shtëpisë, që nuk ishte në pronësi të tij, dhe gjatë përpjekjes bluza i është kapur në kangjellat metalike, duke shkaktuar mbytje aksidentale.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se 45-vjeçari mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes, çka dyshohet të ketë ndikuar në humbjen e ekuilibrit dhe rrjedhimisht në vdekjen e tij.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer kqyrjen paraprake dhe po punojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të këtij rasti.