Ballina Shqiperia ime 445 milionë lekë për sigurinë rrugore – ARRSH shpall fituesit për tre...

445 milionë lekë për sigurinë rrugore – ARRSH shpall fituesit për tre rajone

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur fituesit e tre kontratave publike për ndërhyrje në akset rrugore në veri, qendër dhe juglindje të vendit, me një fond total prej 445.2 milionë lekësh. Këto projekte synojnë përmirësimin e sinjalistikës dhe elementëve të sigurisë rrugore, duke përfshirë rifreskime, ndriçim dhe shtesa të elementëve mbrojtës në rrugë të rëndësishme të qarkullimit kombëtar.

Në Rajonin Verior, kompania Jubica do të ndërhyjë në akset Milot–Hani i Hotit, Milot–Lezhë–Shkodër, Qafë Mali–Fierzë dhe Qafë Bualli–Ura e Cerenecit me një ofertë prej 181 milionë lekësh.

Në Rajonin Qendër-Perëndim, kompania R.S & M do të zbatojë projektet në segmentet Bishti i Zhurit–Elbasan, Cerrik–Belsh, Belsh–Kosovë e Vogël, Fier Shegan–Kozarë, City Park–Durrës dhe Banjë–Gramsh, me një ofertë fituese prej 168.6 milionë lekësh.

Ndërkohë, Rajoni Qendër-Lindje është fituar nga kompania I.D.K Konstruksion, për 95.5 milionë lekë, që përfshin ndërhyrje në akset Gramsh–Mollë Grabovë–Strelcë, Bilisht–Miras dhe ndriçimin e kryqëzimeve në Qafë Plloçë–Korçë.

ARRSH bën me dije se projektet janë hartuar në bashkëpunim me Policinë Rrugore, duke synuar rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit dhe uljen e aksidenteve. Zbatimi do të ketë efekt të menjëhershëm, sidomos në zonat me densitet të lartë trafiku dhe fluks të shtuar turistik gjatë verës.