Një pjesë e madhe e pushtetit lokal në Shqipëri është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK). Nga 61 bashki, 40 kanë dosje të hapura, të finalizuara me arrestime dhe dënime ose ende në proces hetimor. Vetëm 21 bashki nuk kanë probleme zyrtare.
Rastet më të fundit përfshijnë ish-kryebashkiakun e Memaliajt, Golek Guci, dhe ish-nënkryetaren Edmonda Harizi, të cilët së bashku me dy të pandehur të tjerë do të përballen me gjykatën për tenderin e ujësjellësit që furnizon tetë fshatra dhe qytetin e Memaliajt. Fondi limit i tenderit ishte 493 milionë lekë, sipas kallëzimit të KLSH-së.
Tenderat për ujësjellësit dhe rregullimet e rrugëve janë dy nga shkeljet më të shpeshta që u kushtojnë dhjetëra kryetarëve dhe ish-kryetarëve të bashkive. Mes zyrtarëve lokalë, më të hetuarit janë ata që bëjnë pjesë në komisionet e vlerësimit të ofertave, të cilët firmosin procedurat e tenderave.
Lista e plotë e bashkive të hetuara dhe akuzat kryesore:
- Bulqizë – tenderat e ujësjellësit
- Devoll – ndërtim (u shpall i pafajshëm)
- Dibër – kanalet vaditëse
- Durrës – lejet e ndërtimit
- Fier – menaxhimi i financave
- Finiq – tenderat
- Fushë-Arrëz – tenderimi i një rruge
- Gjirokastër – nën hetim
- Gramsh – tendera rrugësh
- Has – privatizimi i një ndërtese
- Himarë – korrupsion zgjedhor, tjetërsim prone
- Kavajë – shpërdorim detyre
- Këlcyrë – nën verifikim për korrupsion zgjedhor
- Klos – nën hetim për zgjedhjet
- Kolonjë – tenderat
- Kuçovë – dekriminalizim
- Kukës – tenderat e naftës, skandal seksual
- Kurbin – denoncuar për tenderat
- Lezhë – tjetërsim pronash
- Libohovë – tendera dhe shpërdorim detyre
- Lushnjë – tenderat
- Mallakastër – dekriminalizim
- Memaliaj – tenderat
- Patos – tendera
- Pogradec – ndërtimet
- Pukë – nën hetim për krime zgjedhore
- Roskovec – zgjedhjet
- Rrogozhinë – zgjedhjet
- Sarandë – ndërtimet
- Shkodër – tenderat
- Tepelenë – nën hetim për rikonstruksion
- Tiranë – korrupsion, pastrim parash
- Tropojë – hapje rruge të re
- Dimal – ndërtime pa leje
- Vau i Dejës – korrupsion në zgjedhje
- Vlorë – denoncuar, nën hetim
Ekspertët nënvizojnë rëndësinë e monitorimit rigoroz të tenderave dhe fondeve lokale, si dhe rolin vendimtar të SPAK dhe KLSH në parandalimin e keqpërdorimeve dhe ndëshkimin e zyrtarëve të përfshirë.










