Ballina Ekonomi 30 Maj, afati i fundit për fermerët per naften falas

30 Maj, afati i fundit për fermerët per naften falas

Fermerët në të gjithë vendin do të kenë afat për të aplikuar për fonde në bujqësi deri më datën 30 maj dhe më pas do të kalojnë në filtrin e verifikimit të aplikimeve dhe përzgjedhjen e tyre.

Aplikimet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi janë hapur më 14 Prill dhe sipas të dhënave të AZHBR deri më 28 Maj, regjistrohen mbi 66 mijë aplikime, ku interes me të lartë ka patur për mbështetjen me naftë me mbi 50 mijë aplikime nga ana e fermerëve.

Sa i takon shpërndarjes gjeografike, edhe këtë vit nuk ka pasur surpriza pasi numri më i lartë i aplikimeve është në qarqet ku bujqësia dhe blegtoria është më e zhvilluar, si Fier, Korçë, Berat dhe Elbasan.

Fondet e vëna në dispozicion për fermerët nga ana tjetër kanë rritur ndjeshëm edhe formalizmin në bujqësi, pasi kushti kryesor për të përfituar është pasja e një nipti aktiv. Si rezultat, këtë vit janë mbi 5,200 fermerë të cilët janë pajisur rishtazi me një nipt në tatime.

Mbështetje do të jepet për bujqësinë, kryesisht për kultivimin e perimeve, frutave, bimëve aromatiko-mjekësore si dhe fermat organike,  blegtorinë, dhe bletarinë.  Ndër kriteret kryesor është toka në pronësi apo përdorim si dhe mospasja e detyrimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Këtë vit, fermerët do të përfitojnë pagesa cash për naftën që përdorin për punime të mekanizuara në bujqësi.

Fondi është 3.2 miliardë lekë dhe do ti jepet më shumë prioritet në financim shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, të cilat nuk do të kenë kufizim në financim.

Mbi 67 mijë fermerë në të gjithë vendin kanë përfituar fonde nga Skema e Subvencioneve në bujqësi përgjatë vitit 2024. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, tregojnë se janë disbursuar fondet konkretisht për 67,132 përfitues në total,  nga të cilët 14,937 përfitues nga skema kombëtare si dhe 52,195 nga skema e subvencionimit me naftë për bujqësinë.