22.5 milionë euro për transformimin e Sheshit “Nënë Tereza”, parkim, muze dhe kapelë nëntokësore


Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën e prokurimit për transformimin e Sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë, një projekt me vlerë mbi 2 miliardë lekë pa TVSH, ose rreth 22.5 milionë euro. Ndërhyrja synon rikonceptimin e plotë të një prej hapësirave më ikonike të kryeqytetit, duke kombinuar funksione publike mbi tokë me një kompleks të gjerë strukturash nëntokësore.

Sipas projektit, sheshi do t’u rikthehet këmbësorëve, ndërsa trafiku i automjeteve do të zhvendoset në nëntokë. Për këtë janë parashikuar tre rampa qarkullimi me nga dy korsi, të cilat do të lidhen me një unazë nëntokësore ku do të pozicionohet edhe parkimi me kapacitet rreth 170 vende.

Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e një Kapelje kushtuar Nënë Terezës, hapësira shërbimi për turistët dhe vizitorët, si dhe një muze arkeologjik nëntokësor. Ky i fundit do të shtrihet deri në 19 metra nën nivelin e tokës dhe do të jetë i pajisur me ashensorë për vizitorët dhe transportin e materialeve.

Në nivelin -4 metra do të krijohet një shesh i brendshëm që do të lidhë hyrjen e muzeut, kapelën dhe hapësirat e shërbimit. Parkimi do të vendoset në kuotën -7.75 metra, ndërsa muzeu do të zërë nivelet më të thella të kompleksit.

Dokumentacioni teknik parashikon një hapësirë pritjeje prej rreth 500 metrash katrorë për muzeun, një kapelë me sipërfaqe rreth 700 metra katrorë dhe një bar-restorant prej afro 340 metrash katrorë.

Ndërkohë, sipërfaqja e sheshit do të ruajë karakterin e saj monumental. Projekti parashikon tre zona me shatërvane në të njëjtin nivel me shtrimin e sheshit, të cilat do të mund të shfrytëzohen edhe për aktivitete publike, ceremoni dhe ekspozita kur nuk janë në funksion.

Sipas relacionit teknik, ndërhyrja është konceptuar si një sistem i integruar që bashkon parkimin, muzeun arkeologjik, kapelën dhe hapësirat publike, duke synuar krijimin e një prej qendrave më moderne dhe multifunksionale në zemër të Tiranës.