Ballina Shqiperia ime 2 centrale të mëdhenj diellorë në Fier Miratohen projektet me fuqi 25...

2 centrale të mëdhenj diellorë në Fier Miratohen projektet me fuqi 25 dhe 82 MW, 2% të energjisë do ia japin falas shtetit

Qeveria ka miratuar ndërtimin e 2 centraleve të mëdhenj në Qarkun e Fierit. Sipas vendimeve të marra në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave 1 nga parqet fotovoltaikë do të ketë fuqi të instaluar 25 MW dhe do të zhvillohet nga kompania “POWER ENERGY”. Ndërkohë që, centrali tjetër do të jetë një fuqi 82 MW, ndërsa zhvillues është kompania “ALBANIA SOLAR POWER”

Veprat energjetike nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojë nga masat mbështetëse, çka do të thotë se nuk e kanë të garantuar blerjen e energjisë nga shteti, s’kanë lehtësime që lidhen me marrjen e lejeve apo lidhjen me rrjetin elektrik.

Sipas vendimeve afati i pritshëm i vënies në punë i impianteve fotovoltaike do të jetë brenda 36 muajve, ndërkohë që afati i operimit është 49 vjet nga hyrja në fuqi e vendimeve të qeverisë.

Po ashtu, përcaktohet se shoqëritë do t’i japin falas, në formë rente, ministrisë përgjegjëse për energjinë 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.