Ballina Sport 17-vjeçari fierak Angjelo Davidhi shkëlqen në arenën ndërkombëtare të mundjes së dorës

17-vjeçari fierak Angjelo Davidhi shkëlqen në arenën ndërkombëtare të mundjes së dorës

FIER – Angjelo Davidhi, 17 vjeç, nga qyteti i Fierit, ka arritur rezultate të spikatura në arenën ndërkombëtare të mundjes së dorës (armwrestling), duke u kthyer në një nga talentet më premtuese të këtij sporti. Nxënës i Gjimnazit “Janaq Kilica”, ai është një shembull i përkushtimit, disiplinës dhe pasionit sportiv.

Prej tre vitesh, Angjelo është stërvitur individualisht, duke ndërtuar me këmbëngulje një profil serioz sportiv në një disiplinë ende pak të zhvilluar në vendin tonë. Pavarësisht mungesës së strukturave të mirëfillta, ai ka arritur të përfaqësojë me dinjitet Fierin dhe Shqipërinë në disa kompeticione ndërkombëtare.

Në garat e zhvilluara në Ballkan dhe Greqi, Angjelo Davidhi ka fituar tre medalje ndërkombëtare dhe një kupë fituese. Konkretisht, ai është vlerësuar me medalje bronzi me krahun e djathtë në një kompeticion të mbajtur në Mitrovicë të Kosovës, ku morën pjesë sportistë nga i gjithë Ballkani Perëndimor. Po ashtu, ai ka fituar medalje argjendi me krahun e majtë në një kompeticion në Greqi, si dhe medalje ari me krahun e djathtë, në të njëjtin aktivitet, ku konkurruan rreth 150 sportistë nga kategori dhe mosha të ndryshme. Në këtë event, Angjelo u shpall edhe fitues i kupës.

Arritjet e tij dëshmojnë se talenti, puna individuale dhe vullneti i fortë mund të çojnë drejt suksesit edhe në sporte më pak të promovuara, duke e kthyer Angjelo Davidhin në një krenari për qytetin e Fierit dhe një model frymëzimi për të rinjtë.