15-vjeçari p*rplaset qellimisht me makinën e policisë në Vlorë, pl*goset një efektive

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë, ku një adoleshent 15-vjeçar ka përplasur me dashje një automjet policie, duke lënë të plagosur një punonjëse të policisë.

Sipas informacioneve paraprake, i mituri nuk i është bindur urdhrit të uniformave blu për të ndaluar në zonën e Çoles dhe është larguar me shpejtësi, duke u vënë në ndjekje nga policia. Gjatë përpjekjes për ta ndaluar, ai ka goditur automjetin e forcave të rendit, duke shkaktuar përmbysjen e tij.

Si pasojë e përplasjes, një efektive e policisë ka mbetur e lënduar dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po merr trajtim mjekësor.

Në aksident është përfshirë edhe një automjet i tipit “Benz”, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar nga ky mjet.

I mituri është shoqëruar në komisariat, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.