Dhjetra punonjës të kompanisë Bankers Petroleum janë ngritur mesditën e sotme në një protestë të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur. Me pankarta në duar ata janë mbledhur para zyrave të kompanisë në Marinzë, teksa kanë shfrytëzuar orarin e pushimit.
Në fjalën e tij Kryetari i Sindikatës Dritan Shahu i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë dhe të fortë shoqërisê Bankers dhe drejtuesit të saj Hong Ping, që të ndalojnë së injoruari zërin e punonjësve duke u ndalur në disa kërkesa kryesore si; ndalimin e intimidimit dhe presionit psikologjik ndaj punonjësve, ndalimin e diskriminimit dhe panarazisë në trajtim dhe përfitime, ndalimin e nepotizmit dhe emërimeve klienteliste , aplikimin e statusit të naftëtarit , të dietës ushqimore etj.
Ne nuk kërkojmë lëmoshë por drejtësi sociale, pasi në kaq vite jemi grabitur ka thënë në fjalën e tij sekretari i Sindikatës të sektorit hidrokarbur, dega Fier, Dritan Rrapushi.
Punojmë prej vitesh në këtë kompani dhe vetëm nëpërkëmbemi kanë thënë punëtorët.
Organizatorët kanë pohuar gjithashtu se nëse zëri i punonjësve nuk do të dëgjohet atëherë protesta e sotme do tê jetë vetëm fillimi i një rruge të re drejt protestave që do të përshkallëzohen.