Ballina Shqiperia ime 1.2 mld lekë për rehabilitimin e rrugës Fier – Kthesa e Patosit...

1.2 mld lekë për rehabilitimin e rrugës Fier – Kthesa e Patosit – Frataj, pjesë e buxhetit të ri 2026

Buxheti i shtetit për vitin 2026 parashikon një rritje të ndjeshme të fondeve për ndërtimin dhe sistemimin e rrugëve në të gjithë vendin, ndërsa një pjesë e rëndësishme e investimeve do të përqendrohet edhe në qarkun e Fierit.

Në total, për këtë zë buxhetor janë planifikuar 20.22 miliardë lekë, nga 18.53 miliardë lekë që ishin në vitin 2025. Një nga projektet që përfiton drejtpërdrejt nga ky fond është rehabilitimi i rrugës Fier – Kthesa e Patosit – Frataj, me një vlerë prej 1.2 miliardë lekësh. Ky investim synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidh zonat rurale dhe urbane të qarkut, duke lehtësuar qarkullimin dhe rritur sigurinë për banorët e zonës.

Ky aks rrugor konsiderohet me rëndësi të veçantë për shkak të rolit që luan në lidhjen e Fierit me zonat kodrinore të Fratajt dhe me Bashkinë Patos, si dhe për nxitjen e lëvizjes së mallrave dhe prodhimeve bujqësore drejt tregjeve kryesore të rajonit.

Paralelisht, në kuadër të kontratave të partneritetit publik-privat (PPP), buxheti i vitit të ardhshëm parashikon rreth 5.3 miliardë lekë për vijimin e financimeve në akset strategjike, përfshirë edhe projektin Lekaj – Fier, pjesë e korridorit kryesor që lidh jugun me veriun e vendit.

Investimet në qarkun e Fierit për vitin 2026 janë pjesë e një programi më të gjerë për modernizimin e infrastrukturës rrugore kombëtare, që përfshin gjithashtu ndërtimin e Korridorit VIII, autostradën Milot – Morinë, si dhe segmente të tjera strategjike si Thumanë – Kashar dhe Orikum – Dukat.

Me këto investime, qeveria synon të përshpejtojë ritmin e punimeve në akset ekzistuese dhe të përmirësojë ndjeshëm standardet e qarkullimit në rrjetin rrugor kombëtar, duke i dhënë prioritet zonave me potencial të lartë ekonomik dhe turistik, siç është edhe qarku i Fierit.