Shkaterrohet organizata e trafikut të drogës në Itali, drejtohej nga një familje shqiptare

Një organizatë e trafikut të drogës në Itali është shkatërruar nga autoritetet italiane, ku janë arrestuar 19 persona. Sipas mediave italiane, kjo organizatë drejtohej nga një familje shqiptare; babai, e ëma dhe djali.

Burime nga policia shqiptare bëjnë me dije se këta persona janë Ardian Korriku 54 vjeç, Etleva Adami 46 vjeç dhe Jurgen Korriku 27 vjeç. Të tre këta persona u arrestuan dje në Shqipëri në kuadër të operacionit “PUZZLE 2020” me kërkesë të autoriteteve italiane pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kjo organizatë trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali si dhe nga Holanda në Shqipëri nëpërmjet Gjermanisë. 18 nga 19 të arrestuarit janë shtetas shqiptarë, ndërsa 1 italian. Nga 19 fletë-arresti, 14 janë me masë sigurie arrest në burg, ndërsa 5 të tjerë në arrest shtëpie. Një nga 18 shqiptarët u kap në Gjermani, në qytetin Hanover, dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë arrest shtëpie. Organizata drejtohej nga familja shqiptare e përbërë nga 3 personat e sipërpërmendur.

Banda ka qarkulluar lëndë narkotike me vlerë 34 milionë Euro në total. Bëhet fjalë për 420 kilogramë drogë, nga të cilat 70 kg kokainë, 66 kg heroinë, 206 kg hashash dhe 80 kg marijuanë. Kjo sasi droge është shitur me pakicë përgjatë viteve.
Përveç 19 të arrestuarve, 65 persona të tjerë, kryesisht shqiptarë, rezultojnë që të jenë të dyshuar për përfshirje në trafikun e paligjshëm të drogës nga Holanda në Shqipëri.

Hetimet për këtë grup kriminal nisën nga autoritetet italiane në Janar të vitit 2020 kur u arrestua një çift që trafikonte 2 kg heroinë. Përgjimet dhe ndjekja hetimore zbuloi më pas një zinxhir të trafikut dhe personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal që drejtohej nga familja shqiptare me banim në Treviso të Italisë.

Anëtarët e organizatës përdornin celularë të koduar për të menaxhuar porositë e klientëve të drogës.
Asete me vlerë 1 milion Euro u sekuestruan në kuadër të këtij operacioni, përfshirë një kompani zvicerane, ndërtesa dhe automjete luksoze.

Bizneset dhe individët po i kthejnë kreditë nga Euro në Lekë

Bizneset dhe individët po i kthejnë kreditë nga Euro në Lekë, të shtyrë nga kursi i këmbimit dhe normat më të ulëta të interesit

Forcimi i Lekut dhe normat më të ulëta të interesit për kreditë në monedhën vendase këtë vit kanë bërë që shumë huamarrës t’i konvertojnë kreditë nga Euro në Lekë.

Banka e Shqipërisë vë në dukje se gjatë tremujorit të tretë të vitit shumë biznese dhe individë që kishin kredi në valutë dhe kryesisht në euro kanë zgjedhur t’i kthejnë këto kredi në monedhën vendase.

Faktorët kryesorë që kanë mbështetur këtë zhvendosje kanë qenë mbiçmimi i monedhës vendase, normat më të ulëta të interesit të kredisë hipotekare në lekë krahasuar me atë në euro, si dhe lehtësirat rregullative për ndryshimin e monedhës së kredisë pa penalitet.

Në fund të muajit shtator, kredia në lekë për biznese shënonte një zgjerim vjetor prej 7.6%, ndjeshëm më e lartë se rritja mesatare prej 1% e gjashtëmujorit të parë të vitit. Zhvillimet e mësipërme kanë rezultuar në rritjen e peshës së kredisë në lekë ndaj totalit në 46%, në nivelet më të larta historike.

Në ngjashmëri me tendencat e vërejtura tek bizneset, kredia në valutë e individëve është ngadalësuar duke zbritur në 13.9% në tremujorin e tretë, nga një mesatare prej 21% në gjashtëmujorin e parë. Paralelisht, kredia në lekë për individë ka shfaqur përmirësim të normave të rritjes, të cilat arritën në 12.6% në tremujorin e tretë nga 8% një tremujor më parë.

Kjo zhvendosje e dukshme e kreditimit drejt lekut nuk reflekton vetëm një orientim më të madh të kredive të reja drejt monedhës vendase, por edhe konvertimin e kredive ekzistuese.

Për herë të parë gjatë këtij viti, normat e interesit të kredisë në lekë ishin më të ulëta krahasuar me kreditë në euro. Banka e Shqipërisë e frenoi ndjeshëm normalizimin e normave të interesit këtë vit dhe deri në fillim të muajit nëntor norma bazë e interesit ishte në nivelin 3%. Kjo bëri që yield-et e titujve qeveritarë të binin ndjeshëm dhe të reflektoheshin edhe në norma më të ulëta interesi të kredive.

Përkundrazi, Banka Qendrore Europiane këtë vit ka ndjekur një qasje mjaft agresive, me rritje të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit deri në nivelin më të lartë historik prej 4.5%. Kjo është përcjellë në rritjen e Euriborit dhe rrjedhimisht edhe të normave të kredive me interes të ndryshueshëm në Euro.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për biznesin në tremujorin e tretë rezultoi 6.4% nga 6.9% që ishte në gjysmën e parë të vitit. Ndërsa norma e interesit për kreditë në euro të bizneseve rezultoi 6.4% në tremujorin e tretë të vitit nga 5.8% në pjesën e parë të vitit dhe 5.4% një vit më parë.

Një tendencë e ngjashme është vërejtur edhe për individët. Interesi mesatar i kredisë në lek për individë shënoi 6.7% në tremujorin e tretë nga 7.0% dhe 7.6% që ishte në dy tremujorët paraardhës. Interesi mesatar i kredisë së re në euro për individët shënoi një rritje të lehtë duke arritur në 5.5% në tremujorin e tretë, nga 5.3% dhe 4.1% që ishin vlerat e dy tremujorëve të mëparshëm

Ndërkohë, këtë vit Leku shënoi një forcim të paprecedentë në kursin e këmbimit me Euron. Kursi i këmbimit Euro-Lek zbriti deri pranë kufirit të 100 lekëve në korrik, ndërsa rënia vjetore e kursit shkoi në më shumë se 14%. Në këtë kushte, shumë individë dhe biznese gjetën një leverdi të dyfishtë për t’i kthyer kreditë e tyre nga Euro në Lekë.

Tendenca e kthimit të kredive në lekë vlerësohet se mund të ketë ndikuar gjithashtu edhe ecurinë e kursit të këmbimit. Konvertimi i kredive në monedhën vendase nënkupton rritje të kërkesës për lekë dhe shtim të ofertës së Euro në tregun valutor. Në këtë mënyrë, kjo do të shpjegonte, mes të tjerash, forcimin e Lekut në kursin e këmbimit me Euron.

Megjithëse teoria sugjeron se mbajtja e normave më të ulëta të interesit ka të ngjarë ta zhvlerësojë monedhën, kjo nuk ka ndodhur me Lekun këtë vit, madje, monedha vendase është forcuar më shume se kurrë më parë ndaj Euros.

Kjo dëshmon se kursi i këmbimit në Shqipëri përcaktohet më së shumti nga flukset hyrëse neto të valutës së huaj, por ndoshta edhe faktin se diferenca në normat e interesit ka ndikuar më shumë huanë, se sa kursimet dhe investimet e publikut. MONITOR

Makina del nga rruga, humb jetën 28-vjeçari

Informacion paraprak

Në aksin rrugor “Gosë-Vilë Bashtovë”, shtetasi B. Th., 28 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Nga aksidenti ka humbur jetën 28-vjeçari.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit

Arrestohet 40-vjeçari shqiptar në Greqi, ishte në kërkim për tentativë vrasje, grabitje e mosbindje

Policia greke ka arrestuar shtetasin shqiptar Marjan Lisi, i shpallur në kërkim për veprën penale tentavë vrasje, grabitje dhe mosbindje.

Mësohet se Marjan Lisi së bashku me një 41- vjeçar, edhe ky shtetas shqiptar i shpallur në kërkim, kishte kryer një grabitje të armatosur në një pikë karburanti në Spata të Athinës në datën 10 shtator të këtij viti, ndërsa në të njëjtën ditë shtiu me armë në zonën Nea Makri ndaj një personi të cilin tentoi të grabisë, por pa i shkaktuar plagë.

Sipas policisë helene, Lisi u arrestua prej forcave të ndërhyrjes së shpejtë të policisë në vendin e quajtur Vari në periferi të Athinës.

Gjatë arrestimit ai nuk bëri rezistencë. Lisi do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie.

Flet 54 vjeçari që u dhunua nga hajdutët në Fier

54 vjeçari Sokol Bajgora, i cili u dhunua nga tre persona që kishin hyrë për të vjedhur në banesën e tij në fshatin Baltëz të Fierit ka rrëfyer se si ndodhi ngjarja. Ai thotë se ishin tre persona të maskuar që hynë në shtëpi duke thyer xhamin e derës dhe nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar që t’i jepnin paratë.

54 vjeçari theksoi gjithashtu se e kishin dhunuar duke i rënë me qytën e automatikut dhe se kishin tentuar ta lidhnin. Më pas, ai thotë se e vendosën poshtë krevatit. 54 vjeçari rrëfeu se ka arritur që të dalë nga shtëpia i gjakosur dhe ka shkuar tek shtëpia e të vëllait, ku edhe kanë njoftuar policinë.

“Isha në gjumë kur dëgjoj një zhurmë. Mendova se ishte ndonjë mace që hyri dhe që ranë pjatat e bufesë. Ata i kishin rënë derës prapa shtëpisë, i thyejnë xhamin. Kur dal nga dhoma e gjumit, ata erdhën me një elektrik dhe me armë. Tre veta hynë brenda. Direkt thanë lekët. Thashë s’kam lekë.

Më goditën me qytë të automatikut. Më pas më vonë fut e bjer, iu thosha se s’kam lekë. Më kanë qëlluar pesë gjashtë herë në kokë me qytë në kokë. Donin të më lidhnin këmbë dhe duar. Isha i lyer në gjak. Bërtisja që të dëgjonin ndonjë. E kthyen shtëpinë përmbysur, dalin dhe ikin.

Pas disa minutash, krevatin dopio e kthyen dhe më lanë poshtë krevatit. Si duket iu interesonte që të mos ngrihesha. Zvarrë lëviza, nuk orientohesha dot sepse dritat ishin fikur. Isha vetëm në shtëpi. Mezi u orientova duke prekur murin dhe hap grilën, dola nga dritarja. Nga muri rrethues, dal dhe hidhem tek vëllai. S’e dija që vëllai ishte në punë. Më pas shkoi tek vëllai tjetër.”, u shpreh ai

FIER-Hajdutet hyjne ne banese dhe dhunojne 54 vjecarin , dergohet ne spital

Fier

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Baltëz, shtetas ende të paidentifikuar kanë hyrë për të vjedhur në banesën e shtetasit S. B., 54 vjeç, ku kanë ushtruar dhunë ndaj 54-vjeçarit dhe nuk kanë vjedhur asgjë.

Për shkak të dëmtimeve, shtetasi S. B. po merr asistencë mjekësore, në spital, dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për rastin, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier, disa shtetas që po merren në pyetje, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Gjithashtu, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili vijon punën intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

FIER-39-vjeçari u gjet i vrarë brenda makinës ,ja cfare kane thene banorët e zonës

Ende ndodhet ne automjetin tip “Volsvagen” 39-vjecari me iniciale J. B, i gjetur i pajete mesditën e sotme në Daullas të Libofshës. Ai është gjetur pa shenja jete, ku dyshohet se është veterare me arme zjarri, ndërkohë qe banoret e zonës shprehen te habitur nga kjo ngjarje.

Ata pohojnë se zona e tyre është mjaft e qetë dhe deri në orën 8:00 të mëngjesit nuk kanë parë asnjë makinë. Banorë të tjerë pohojnë se rreth orës 8:30 automjeti është parë i parkuar, por nuk kanë dëgjuar asnjë krismë arme. Për ta personi është i panjohur dhe nuk e kanë parë më parë në zonë.

Ndërkohë grupi i ekspertizës është duke kryer veprimet hetimore.

Ngjarje e rende ne Fier, gjendet i vrare me plumb ne koke 39 vjecari

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 11:20, në një automjet tip “Volkswagen”, të parkuar në anë të rrugës, në fshatin Daullas, është gjetur i pajetë, shtetasi J. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet e deritanishme, dyshohet se 39-vjeçari është vetëvrarë me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një gëzhojë të fishekut të saj.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes