Qeveria miraton projektbuxhetin 2024, pagat e sektorit publik bëhen 900 euro, rriten...

Qeveria miraton projektbuxhetin 2024, pagat e sektorit publik bëhen 900 euro, rriten fondet për ushtrinë dhe bashkitë

111
SHPËRNDAJE

Projektbuxheti 2024 u miratua sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Buxheti do të kalojë të ardhura mbi 7 miliardë euro, mbi një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm. Balanca primare do të jetë pozitivë.

Sipas Ministrit të Financave brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.

Projektbuxheti parashikon një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin para-universitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qendrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.

Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë mbi 5% të PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.

Projektbuxheti vijon të financojë procesin e rindërtimit, në vijim edhe të mbështetjes së dhënë përmes Aktit Normativ.

Respektohet niveli i kërkuar lidhur me angazhimet e anëtarësimit në NATO, me 2% të PBB-së në vitin 2024 dhe kjo arrihet për herë të parë.

Rritet ndjeshëm buxheti në dispozicion për njësitë e pushtetit vendor, ku për vitin 2024 shpenzimet parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qendrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë.

Shtyhet TVSh-ja për arsimin shërbimet financiare

Qeveria shtyu për një kohë të pacaktuar planet për përfshirjen e TVSH-së në arsim dhe në shërbimet financiare të parashikuara për tu aplikuar në fillim të janarit 2024. Ministria e Financave sqaroi se, pas diskutimeve me FMN-në, është dakordësuar të rishikohet Strategjia Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, me fokus kryesisht përmirësimin e administrimit fiskal.

Lidhur me akcizën, edhe pse ligji parashikon që të ketë indeksim të normës së akcizës, bazuar në nivelin kumulativ të inflacionit çdo dy vite, nisur nga niveli i pazakontë i inflacionit në dy vitet e kaluara, kjo masë e ligjit do duhet të ndryshojë.

Ministria e Financave ka propozuar vendosjen e një tavani prej 1.5% indeksim çdo dy vite.

Gjithashtu, në procedurat tatimore janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri.

Më tej, sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eleminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër mirëadministrim në këtë fushë.

Me miratimin në Këshillin e Ministrave, projektbuxheti 2024 dhe paketa fiskale do t’i nënshtrohen një faze të gjerë diskutimesh në komisionet parlamentare, ndaj do të kemi kohë dhe për të adresuar pyetjet që mund të lindin, si nga ana e mediave, por edhe nga ana e deputetëve, qytetarëve apo grupeve të interesit./ MONITOR

S'KA KOMENTE