Kriza demografike prek arsimin dhe nivelin e mësuesve

Kriza demografike prek arsimin dhe nivelin e mësuesve

26
SHPËRNDAJE
Kriza demografike po jep pasoja negative edhe në sektorin e arsimit. Të dhënat zyrtare nga Portali i Mësuesit tregojnë se në bashkitë e Kukësit dhe Dibrës ka mungesa akute për mësues matematike, teksa shkollat periferike të vendit po vuajnë për mësues në profilet kryesore. Mungesa e burimeve njerëzore në arsim po prek edhe Tiranën, teksa në nivelin e mësuesve ekzistues, vihet re problematika e aftësive. Testimi i fundit i njohurive të mësuesve tregoi se 47.5% e tyre në të gjithë vendin zotërojnë njohuri të pamjaftueshme për çështje që lidhen me mësimdhënien. Mësuesit më të përgatitur janë në Kolonjë, Divjakë, Devoll dhe Përrenjas, teksa Tirana rezultoi poshtë mesatares kombëtare. 94% e trupës mësimore nuk kanë aftësi dixhitale. Ekspertët bëjnë thirrje për rritje të investimeve në arsim, si e vetmja mënyrë për të orientuar vendin nga një model ekonomik i suksesshëm
 
Blerina Hoxha

Në shkollat e arsimit parauniversitar në Bashkinë e Kukësit mungojnë aktualisht 29 mësues matematike, në Dibër 23, madje edhe në Tiranë, 11. Në të gjithë vendin, arsimi 9-vjeçar dhe i mesëm ushtron aktivitet me 159 mësues matematike mangët, sipas të dhënave zyrtare nga Portali Mësues për Shqipërinë nga Ministria e Arsimit. (shiko grafikun: Vendet vakante për mësues matematike në bashkitë e vendit)

Burimet njerëzore janë bërë pengesë akute në shumë aktivitete ekonomike, por ato kanë prekur edhe sistemin arsimor, i cili në vetvete është jetik, pasi përgatit të gjitha profesionet e së ardhmes.

Në qarqet më të varfra, Kukës dhe Dibër, thuajse shumica e shkollave nuk kanë një mësues të profilit të matematikës.

Nga bashkitë e Veriut ka shumë pak nxënës që zgjedhin të studiojnë matematikë, por edhe ata që kanë kryer studimet nuk kthehen në vendlindje për të ushtruar profesionin e mësuesit.

Portali Mësues për Shqipërinë tregon se, ka mungesa në stafet mësimore në të gjithë vendin dhe në të gjitha profilet e lëndëve, teksa në një të ardhme jo të largët, mungesat do të jenë edhe më të mëdha dhe cilësia e mësuesve do të jetë në rënie.

Këtë vit akademik, për të aplikuar në programet e studimit Bachelor nevojitej minimalisht mesatarja 6.5 (përjashtim bëjnë programet e gjuhëve të huaja, të mësuesisë, si dhe degëve të Universitetit të Mjekësisë). Ndërsa për programet e studimit profesional 2-vjeçar nuk ka kriter mbi mesataren.

Në vitin e akademik 2024-2025, degët që lidhen me mësuesinë – Fizika, Historia, Gjuha shqipe dhe Letërsia, Arkeologjia, Biologjia, Filozofia kishin mbi 70-80% të kuotave të lira në raundin e parë, teksa dega e matematikës në Fakultetin e Shkencave është në rrezik mbyllje, nga mungesa e studentëve.

Në këto kushte, një gjimnazist me mesatare 5 që studion për matematikë nuk garanton cilësi në mësimdhënie në të ardhmen. Aktualisht, lënda e matematikës, në shumicën e shkollave jepet nga brezi që ka mbaruar para viteve 1990.

Rregullat e kohës përzgjidhnin gjimnazistët me medalje për të studiuar matematikë e për rrjedhojë, burimet njerëzore që u krijuan më pas ishin në nivel shumë më të lartë se mesatarja e mësuesve të profileve të tjera.

Me daljen e këtij brezi në pension, lënda e matematikës rrezikon të mbetet pa mësues ose në rastin më të mirë, do të jepet nga maturantët që kishin rezultatet me të dobëta.

Burimet njerëzore në arsim nuk mund të sigurohen kaq lehtë nga vende të tjera, siç po synojnë kompanitë private të zëvendësojnë forcën e punës. Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tani i angazhuar në trupën akademike, thotë se, vendi ynë ende nuk e ka kuptuar që mësuesi me kompetencë në një lëndë në Shqipëri nuk mund të punësohet më.

“Mësuesi duhet të diplomohet minimumi për dy lëndë, pasi nuk ka më shkolla me 40 nxënës. Si nga pikëpamja e menaxhimit, duhen formime në fusha të përafërta, pasi kjo i shërben aspektit të menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe rritjes së nivelit teorik të mësuesve”, tha z. Tafaj.

Sipas tij, me uljen e numrit të nxënësve në shkolla dhe universitete, qeveria ka më shumë burime financiare në dispozicion që të rrisë cilësinë e mësimdhënies.

Ekspertë të tjerë kanë vënë në dukje se qeveria duhet të vendosë stimuj financiarë për studentët në degët e mësuesisë, duke rritur edhe mesataren e pranimit dhe nga ana tjetër, duhet të rriten edhe pagat për mësuesit në sektorin publik, në mënyrë që mësuesia të jetë konkurruese në tregun e punës.

Burimi: Portali Mësues për Shqipërinë

Testimi i mësuesve, 47% me njohuri të pamjaftueshme 

Në vitin 2021, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), publikoi rezultatet e testimit të njohurive të mësuesve për nivelin profesional në rang vendi. Kjo është tabloja më e fundit që tregon cilësinë e trupës arsimore.

Nga rreth 28 mijë mësues në arsimin parauniversitar, në testim morën pjesë rreth 20 mijë mësues. Rezultatet e vlerësimit në nivel kombëtar për fushën “Mësimdhënia dhe të nxënit” treguan se në nivel kombëtar, rreth 2587 mësues të të gjitha profileve në arsimin parauniversitar morën rezultate shumë të dobëta, duke përbërë 12.7% të totalit të mësuesve të testuar.

7047 mësues rezultuan me mungesa të mëdha në njohuri që kanë nevojë për përmirësim të cilësisë (përbënin 34.7% të totalit të mësuesve të testuar), 34,3% e mësuesve morën rezultate mesatare dhe të kënaqshme për mësimdhënie dhe vetëm 18,1% e tyre kishin arritje shumë të kënaqshme në lidhje me mësimdhënien.

Siç tregojnë rezultatet e testimit, numri i mësuesve që u vlerësuan me pikët maksimale (9%) ishte shumë i ulët, me vetëm 2527 mësues dhe pjesa më e madhe e tyre rezulton me 5 ose 6 pikë.

Rezultatet treguan se në nivel kombëtar, vetëm 22.5% e mësuesve zotërojnë njohuri në një nivel shumë të kënaqshëm. Rreth 53% kanë nivel të kënaqshëm mesatar dhe 21% e trupës mësimore kanë nevoja shumë të mëdha për përmirësim dhe 8% e mësuesve janë tepër dobët.

Të dhënat zyrtare mbi njohuritë te mësuesit e sistemit parauniversitar tregojnë se gati një e katërta e trupës janë shumë dobët.

Testimi tregoi se 47.5% e mësuesve në të gjithë vendin zotërojnë njohuri jo të mjaftueshme për çështje që lidhen me mësimdhënien bazuar në kurrikulën me kompetenca.

Rezultatet më të dobëta i kanë mësuesit në Drejtorinë Rajonale Arsimore të Lezhës, ku përfaqësohen qarqet e Veriut, ku më shumë se gjysma e tyre, rreth 51%, kanë nivel shumë të dobët.

Shkollat në zonat rurale në qarqet e Veriut kanë mungesa akute për mësues dhe po vuajnë zbrazjen e popullsisë.

Në njësinë e Administrative të Shemrisë në Kukës, ku aktualisht funksionon shkolla e mesme, gjimnaz, nuk ka mësues matematike dhe lënda jepet me raunde nga mësuesit e profileve të tjera. Në kushte të ngjashme janë edhe shumë shkolla në zonat rurale të Dibrës dhe Kukësit.

Më të përgatiturit, mësuesit e kimisë, matematikës dhe gjuhës shqipe

Rezultatet e testimit të mësuesve, sipas degëve, tregojnë se në lëndët kyçe në arsimin parauniversitar ende kemi mësues me njohuri të kënaqshme. Trupa e mësuesve të matematikës, kimisë, gjuhës shqipe dhe biologjisë morën rezultate më të larta në testimin e njohurive për mësimdhënien.

Gati 60% e mësuesve të kimisë kishin njohuri të kënaqshme dhe shumë të kënaqshme, 61% e mësuesve të matematikës ishin në këtë nivel, dhe gjithashtu 54% e mësuesve të gjuhës shqipe dhe letërsisë ishin në nivel të kënaqshëm.

Rezultatet më të dobëta i morën mësuesit e arsimit parashkollor, profesional dhe fillor, ku shumica e tyre ishin me rezultate të dobëta dhe kanë nevoja të domosdoshme për përmirësim.

Mësuesit më të mirë i ka Kolonja, Divjaka, Delvina, Kavaja dhe Përrenjasi. Tirana, nën mesataren kombëtare

Rezultatet e testimit treguan se mësuesit më të mirë të vendit nuk janë në bashkitë e mëdha dhe as në Tiranë, ku ka konkurrencë të burimeve njerëzore. Në disa bashki vogla, të tilla si Kolonja, Delvina, Divjaka, Kavaja dhe Përrenjasi, mësuesit paraqitën rezultate më të mira se sa mesatarja kombëtare 5.6 nga 9 pikë të mundshme.

Rezultate të mira me diferencë nga bashkitë e tjera i kishin mësuesit në Bashkinë e Kolonjës me 7 pikë gjithsej, e ndjekur nga Bashkia e Divjakës.

Gjithashtu, bashkitë e Kamzës dhe Kavajës kishin mësues me nivel më të lartë se mesatarja kombëtare, të ndjekura nga bashkitë e Përrenjasit, Pogradecit, Selenicës, Beratit, Belshit.

Bashkitë me nivelin më të dobët të mësuesve ishin Bulqiza, Librazhdi, Gjirokastra, Hasi, Klosi, Lezha, Malësia e Madhe, Maliqi, Mallakastra, Tepelena, Fushë-Arrësi, Tropoja, Rrogozhina, etj.

Në nivel mesatar u paraqitën mësuesit në bashkitë e Kukësit, Elbasanit Fierit, Korçës, Krujës, Kurbinit etj.

Tiranë, kryeqyteti i vendit, kishte një nivel të arritjeve të mësuesve poshtë mesatares kombëtare. Tirana, e cila ka mundësi më të mira me burime njerëzore u rendit dobët.

Mësuesit e Bashkisë së Tiranës morën më pak se 5.6 pikë që ishte mesatarja kombëtare.

Testimi tregoi se me rritjen e viteve të punës përmirësohet edhe cilësia e mësuesve. Kategoria e dytë, me mbi 10 vite punë, tregoi rezultate më të larta se mësuesit e rinj. Ndryshe nga zonat rurale, mësuesit në qytete dhe zonat urbane morën rezultate më të larta.

Kurrikula me kompetenca, 38% e mësuesve nuk kanë njohuri të mjaftueshme

Prej vitesh, Shqipëria ka ndryshuar përmbajtjen mësimore dhe mënyrën e dhënies së mësimit në nivelin parauniversitar dhe zgjodhi kurrikulën britanike si model. Ajo bazohet në mësimdhënie ku përfshihen nxënësit dhe teknologjia është në themel të mësimdhënies.

Vlerësimi në lidhje me aftësitë për zbatimin e kurrikulës ka treguar se shumica e mësuesve, 38% e tyre, nuk kanë njohuri të mjaftueshme, ndërkohë 34% e tyre paraqiten me rezultate të mira, por me nevoja për përmirësim të mëtejshëm.

Ekspertët e arsimit vlerësojnë dobësitë për adoptimin e kurrikulës së re, si një ndër shkaktarët për rënien e arritjeve të nxënësve shqiptarë në testin PISA 2022. Shqipëria ka bërë dy dekada pas në sektorin e arsimit, sipas Testimit të fundit Ndërkombëtar PISA të kryer me nxënësit 15-vjeçarë.

Në matematikë, ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012. Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018 dhe 35 më pak se më 2012.

Edhe në shkenca, rënia e ishte e ngjashme.

Një nga arsyet kryesore të rënies në rezultate, në krahasim me vitet e mëparshme në testin e PISA është edhe ndryshimi i kurrikulës në arsimin parauniversitar, thotë Dr. Adrian Nacco, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Matematikës.

Zoti Naço, i cili prej vitesh punon me talentet kryesisht në shkenca, tha se treguesit statistikorë në vite, bëjnë të ditur se rezultatet më të mira janë marrë në vitin 2018 në testin PISA.

Ky është një tregues se reforma e ndërmarrë në 2017-2018 e në vijim, jo vetëm nuk ka dhënë rezultatet që priteshin, por ka shënuar regres në tërësinë e tij dhe veçanërisht në lëndën e matematikës.

Mësuesja Irma Marku, e cila jep lëndën e Gjuhës Shqipe në një nga gjimnazet e kryeqytetit, tha se kurrikula re bëhet defektoze, pasi mësuesit nuk janë të aftë ta adoptojnë.

Mësuesja e matematikës N. M. në arsimin e mesëm, në një nga shkollat e Lezhës, tha se, kurrikula e re po përçon më pak njohuri te nxënësit.

Më parë, matematika në shkollë të mesme kishte shpjegim në librin e nxënësit, teorema dhe përkufizime për çdo temë mësimi, ndërsa me ndryshimin e kurrikulës, më shumë nxitet mësimi logjik, pa orientuar nxënësin nga rregullat që më parë mësoheshin edhe përmendësh.

Mirëpo kjo metodë nuk po rezulton efikase, pasi mësuesit nuk u trajnuan dhe nxënësit kanë interes më të ulët për të ndërvepruar, sipas modelit të ri.

“Me kurrikulën e vjetër, nxënësit detyroheshin të mësonin së paku përmendësh tabelën e shumëzimit, përkufizimet dhe teoremat dhe gjatë këtij procesi mësonin diçka, ndërsa në kurrikulën e re, këto detyrime janë hequr dhe tani shumica e nxënësve nuk mbajnë mend as veprimet më të lehta matematikore”, – tha ajo.

B.Muslia, i cili jep mësim në një shkollë 9-vjeçare në Kukës tha se, kurrikula në kompetenca ka dështuar, pasi mësimdhënia në bazë të saj kërkon logjistikë dhe mjete dhe teknologji. “Mungojnë mjetet e punës në shkollë. P.sh., teksti i biologjisë është ndërtuar një orë mësim, një orë veprimtari praktike ose punë laboratori.

Në shumicën dërrmuese të shkollave mungojnë mjetet e demonstrimit, sidomos në lëndët shkencore. Mjetet demonstruese praktike, dhe në 90% ose më shumë edhe ato vizuale.

Nga ana tjetër, një mësues biologjie ndoshta mund të realizojë edhe vetë ndonjë orë të veprimtarisë praktike, megjithatë edhe kjo ka mangësi ose nuk realizohet, pasi mësuesit janë të ngarkuar me lëndë të tjera dhe nuk ka kohë të mbledhin material për veprimtarinë”.

Ndërkohë që reforma arsimore në vendin tonë ka nisur nga klasat e 10-ta dhe të 11-ta, është shtrirë në klasat 8 dhe 9 dhe 12 dhe më pas, edhe në klasat më të ulëta.

“Mendoj se një nga arsyet që rezultatet në matematikë kanë rënë është edhe fakti i heqjes së provimit me zgjedhje në maturë dhe kjo ka thelluar hendekun e studentëve kur prezantohen me një nivel më të lartë njohurish në studimet e tyre të mëtejshme në nivel universitar”, – tha z. Naço.

94% e mësuesve, pa aftësi digjitale

Mësuesit shqiptarë shfaqën rezultate mjaft të dobëta në aftësitë dixhitale, pasi rezultatet e testimit kanë treguar se 94% e tyre kanë dhënë përgjigje të pasakta.

Shqipëria gjithashtu përafrohet me Agjendën Dixhitale për Ballkanin Perëndimor, një nismë e financuar nga BE që synon të përmirësojë dixhitalizimin në procesin e të mësuarit.

Ai përfshin përmirësimin e infrastrukturës dixhitale të shkollave, sigurimin e aksesit në internet me shpejtësi të lartë për shkollat dhe vendosjen e kanaleve dixhitale të komunikimit ndërmjet shkollave dhe njësive arsimore rajonale, ndër nisma të tjera.

Sipas Strategjisë së Axhendës Dixhitale 2022-2025, njohuritë e TIK-ut dhe kodimit janë integruar në programin mësimor, duke filluar nga viti shkollor 2022.

Programi i ri i TIK-ut për nxënësit e klasës së parë ishte hartuar dhe miratuar nga Ministria e Arsimit dhe janë zhvilluar dy manuale për të mbështetur mësuesit dhe nxënësit e këtij niveli.

Në vitin shkollor 2022-2023, zbatimi i Lëndës TIK filloi nga klasa e parë në 100 shkolla pilot në 34 qytete, duke përfituar 7 079 nxënës. Në arsimin e lartë, për vitin akademik 2022-23, nga 121 352 studentë të regjistruar, 9 297 zgjodhën kurse të lidhura me TIK-un, duke shënuar rritje të vazhdueshme prej disa vitesh.

Mirëpo në shkolla, mësuesit që japin lëndët e teknologjisë dhe informacionit kanë njohuri të pamjaftueshme, njohuri që duhet të zotërohen edhe nga mësuesit e profileve të tjera, pasi çdo lëndë ka në themel mësimdhënien me kompjuter.

Kërkohet me urgjencë vëmendja ndaj arsimit dhe rritjes së financimeve

Prej dekadash, qeveritë shqiptare i kanë orientuar burimet financiare nga buxheti shtetit në asete fizike, teksa sektori i arsimit, themeli që siguron zhvillimin e qëndrueshëm, ka qenë sistematikisht i nënfinacuar.

Teksa ekonomia e vendit u zgjerua dhe buxheti arkëtoi më shumë të ardhura, shpenzimet publike për sektorët prioritarë, arsimi dhe shëndetësia kanë shënuar ulje në vitin 2022, si në raport me PBB-në, edhe me shpenzimet e përgjithshme buxhetore.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në vitin 2022, shpenzimet publike në sektorin e arsimit ishin 62.9 miliardë lekë ose 2,9% e PBB-së.

Krahasuar me vitin 2021, shpenzimet publike në arsim shprehur si përqindje ndaj PBB-së, kanë shënuar ulje me 0,2 pikë përqindje, ndërkohë shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,1 pikë përqindje.

Financimet në arsim kanë kthyeshmëri të lartë në krahasim me sektorët e tjerë, pasi rrisin kualitetin dhe aftësitë e kapitalit human. Një forcë pune e mirarsimuar është në gjendje të çojë përpara një model më të avancuar ekonomik.

Menaxheri i Bankës Botërore në vendin tonë, Emanuel Salinas, mendon se, Shqipëria tani është e detyruar të investojë te të rinjtë.

“Kapitali njerëzor i Shqipërisë është zemra e trajektores së zhvillimit të vendit, aftësisë së tij për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimit të standardeve të të ardhurave dhe jetesës me mesataren e Bashkimit Europian.

Për ta thënë thjesht, Shqipëria nuk mund të bëhet një vend i fortë, i avancuar dhe me të ardhura më të larta pa angazhuar një kapital njerëzor po aq të fortë dhe produktiv”,- tha ai. Por, nuk mund të kemi vetvetiu një kapital njerëzor më të fortë dhe të mirëpërdorur, sipas tij.

“Që të arrihet kjo, duhen politika të mirëmenduara dhe kjo kërkon që ky kapital të jetë prioriteti i investimeve aktuale dhe të ardhshme dhe gjithashtu kërkon reforma të mëdha në institucione dhe sektorë si arsimi.

E gjithë kjo nuk do të ndodhë brenda natës dhe do të kërkojë përpjekje dhe burime, por është investimi i vetëm i rëndësishëm që nuk mund ta shpërfillim.

Sa më shpejt të fillojmë me të gjitha këto, aq më shpejt do të mund ta trajtojmë këtë rrezik madhor për Shqipërinë”, thotë zyrtari i lartë i BB-së.

Kapitali njerëzor mund të përmirësohet, duke rritur investimet në arsim dhe shëndetësi.

Z.Salinas përllogarit se popullsia shqiptare mund të rrisë me 40% produktivitetin e vet gjatë gjithë jetës, nëpërmjet përmirësimeve në shëndetësi dhe arsim. Në të vërtetë, që njerëzit të kenë akses në punë më të mira, nuk është thelbësore vetëm të kenë aftësitë dhe njohuritë që kërkohen në ekonomi, por edhe mirëqenie fizike, mendore dhe sociale, u shpreh ai.

Në mënyrë krahasimore, në lidhje me shpenzimet në arsim si përqindje e PPB-së, treguesi i Shqipërisë është poshtë vendeve të rajonit që financojnë 4-5% të PBB për arsimin dhe poshtë vendeve të OECD që financojnë 6-7% të PBB-së tyre për arsimin.

Ndërkohë, sektori i arsimit po tkurret si rrjedhojë e rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë që ka çuar në uljen e nxënësve në klasa. Hapësirat financiare po zgjerohen dhe ekspertët e shohin si mundësi të artë për rritjen e financimeve, sidomos për universitetet dhe kërkimin shkencor.

Gjatë tri dekadave të tranzicionit, sektori i arsimit në vend u tkurr me rreth 35%, nga rënia e numrit të nxënësve. Zhvillimet demografike lajmërojnë se në dekadën në vijim do të kemi sërish rënie dhe do të ketë përgjysmim të studentëve.

Rënia e lindjeve dhe emigracioni i përqendruar në moshat e reja pritet të çojë numrin total të studentëve që regjistrohen në vit të parë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2032 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete, nga rreth 120 mijë që ishin në vitin akademik 2022-2023.MONITOR

S'KA KOMENTE