Flukset e larta të eurove, depozitat në valutë rriten 15.9% – Banka...

Flukset e larta të eurove, depozitat në valutë rriten 15.9% – Banka e Shqipërisë: Depozitat në monedhën europiane u shtuan me 1 miliard euro në 1 vit

124
SHPËRNDAJE

Depozitat bankare në valutë kanë vijuar gjatë gjysmës së parë të 2023 tendencën e fortë rritëse duke reflektuar veçanërisht flukset e larta të monedhës së përbashkët europiane. Në fund të gjashtëmujorit, depozitat në valutë kanë shënuar një rritje vjetore prej 15.9%, duke kompensuar edhe ecurinë e dobët të depozitave në lek. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit qershor, totali i depozitave në valutë në sistemin bankar është mbi 806 miliardë lekë.

Vetëm depozitat në monedhën e përbashkët europianë rezulton se janë shtuar me thuajse 1 miliard euro në harkun kohor të një viti. Nga 5.7 miliardë euro në qershor 2022, ato janë rritur në 6.69 miliardë euro në qershor të këtij viti.

Të para në total, depozitat e bankave janë rritur me norma të qëndrueshme edhe në tremujorin e dytë. Kështu në krahasim më një vit më parë ato ishin rreth 9.5% më të larta, ose 0.5 pikë përqindje më shumë se në tremujorin e parë. Depozitat në valutë kanë dhënë kontributin kryesor në këtë zgjerim, por paralelisht në përmirësim kanë qenë edhe depozitat në lekë.

Kështu, normat vjetore të rritjes së depozitave në valutë dhe atyre në lekë shënuan përmirësim në 15.9% dhe me 2.6% përkatësisht. Tabloja e zhvillimeve sipas monedhave ka mbetur e pandryshuar për më shumë se një vit, e ndikuar nga prania e lartë e fondeve valutore që depozitohen në banka. Nga ana tjetër, nivelet e moderuara të rritjes së depozitave në lekë reflektojnë si konsolidimin fiskal ashtu dhe rritjen e preferencës për të investuar kursimet në letra me vlerë të qeverisë.

Nga ana tjetër, tremujori i dytë i këtij viti është karakterizuar nga një përmirësim më i fortë i depozitave të bizneseve krahasuar me ato të individëve, duke reflektuar gjendjen e mirë të likuiditetit dhe në përgjithësi përmirësimin e gjendjes financiare të tyre.

SCAN

S'KA KOMENTE