Domatja shqiptare “prodhoi” 3 miliardë lekë – Cilat produkte “Made in Albania”...

Domatja shqiptare “prodhoi” 3 miliardë lekë – Cilat produkte “Made in Albania” preferojnë më shumë të huajt?

172
SHPËRNDAJE

Eksportet bujqësore, për shkak edhe të sezonit veror, kur prodhimi është i mbarë, kanë pasur ecuri pozitive përgjatë kësaj periudhe. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, tregojnë se në 7 muaj, janë shitur jashtë kufijve të Shqipërisë afro 15.2 miliardë lekë produkte, duke krijuar kështu më shumë të ardhura për fermerët shqiptarë.

Ndërsa në sasi, janë eksportuar afro 179 mijë ton. Rritja në vlerë krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë është 19 për qind, për shkak të rritjes në tërësi të kërkesës dhe të çmimeve, jo vetëm jashtë kufijve por edhe në vend. Ndërkohë që konsumatori i huaj arrin të marrë cilësinë më të mirë të prodhimit, pasi produktet kalojnë në disa filtra analizash dhe certifikohen, ndryshe nga ato që hidhen për konsum në tregun e brendshëm.

Por cilat nga produktet e kultivuara nga fermerët janë më të kërkuara? Duket se domatja vijon të mbajë rekord, pasi rezulton me sasinë dhe vlerën më të lartë të eksporteve, respektivisht 39.5 mijë ton dhe afro 3 miliardë lekë përgjatë periudhës Janar-Korrik 2023, duke zënë një peshë prej 15 % ndaj totalit të eksporteve.

Po ashtu, pjeprat dhe shalqinjtë kanë siguruar 1.5  miliardë lekë të ardhura, duke zënë një peshë në masën 14.7 për qind ndaj totalit. Të ardhurat nga eksporti i trangujve, regjistrohen në 1.7 miliardë lekë, dhe zarzavatet e tjera zënë afro 1.9 miliardë lekë. Ndërkaq, risi e këtij sezoni ka qenë rritja e eksportit të vajit të ullirit që ka ardhur si rrjedhojë e mbiprodhimit si dhe të zarzavateve të përpunuara, të cilat janë vlerë e shtuar.

Produktet bujqësore shkojnë në thuajse 80 vende të botës, ku Italia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë partnerët kryesor.Scan

S'KA KOMENTE