Albpetrol nxjerr 106 prona me qira

Albpetrol nxjerr 106 prona me qira

442
SHPËRNDAJE

Kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës Albpetrol ka nxjerrë së fundmi një listë me 106 prona të lira të saj, të cilat synojnë të kalojnë tek të tretë për shfrytëzim kundrejt pagesës së qirasë.

“Albpetrol Sh. a njofton se ka në administrim prona të lira, të cilat jepen me qira. Shoqëria “Albpetrol” Sh. a, bazuar në Vendimin nr. 54, të Këshillit të Ministrave, datë 05.02.2014, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, i ndryshuar, ju informon se ka në administrim prona të lira, të cilat jepen me qira, për subjekte dhe individ të ndryshëm, të cilët plotësojnë kriteret ligjore për lidhjen e kontratave të qirasë” thuhet në njoftimin e bërë nga ana e Albpetrol që ka bashkangjitur listën e pronave.

Kompania ka saktësuar në këtë listë pronën, llojin e saj pra nëse është truall, ndërtesë apo miks i të dyjave, bashkinë ku ndodhet kjo e fundit, sipërfaqja si dhe përshkrimi i gjendjes aktuale të saj.

Në këtë përshkrim shumica e pronave cilësohen si të amortizuara dhe të dëmtuara ose në gjendje jo të mirë teksa ato me kushte të mira janë në pakicë dhe kryesisht ndodhen në Bashkinë Selencië.

Në listën e pronave bie në sy ish-rafineria e Naftës në Cërrik e cila ka një sipërfaqe mbi 319 mijë m2 ndërkohë që në përshkrime nënvizohet se ka objekte të rrënuara. Ish-rafineria, e cila kishte pushuar së punuari në fillim të viteve ’90, u dha me koncesion në korrik 2013 te kompania Kurum për ta rivënë atë në punë nëpërmjet një kontrate koncesionare.

Në atë kohë vendimi i publikuar në QBZ mbante titullin “Për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “ROT” (rehabilitim, operim, transferim), të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Kurum International” sh.a, për rehabilitimin e rafinerisë së Cërrikut, Rrethi i Elbasanit”. Por në fakt rafineria nuk u rikthye në punë.

Beteja në gjykatë

Ish-Rafineria e Naftës në Cërrik është kthyer tashmë në “mollë sherri” mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërive S “ALBANIAN OIL RAFINERY” SH.A dhe “KURUM INTERNATIONAL” SH.A. Kështu në Gjykatën e Lartë në qershor të këtij viti nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është regjistruar një çështje ku paditen dy kompaninë. Në thelb objekt i çështjes është “Detyrimi solidar i palëve të paditura të paguajnë në favor të palës paditëse, detyrimin që vjen nga demi i shkaktuar nga shkatërrimi dhe shitja e pronës shtetërore në kundërshtim me kushtet e Kontratës koncesionare të Formës “ROT”, lidhur ndërmjet Shoqërisë Koncesionare “Kurum Internacional” sh.a dhe ish-METE (sot MEI) në shumën 150,873,112 leke. Detyrimin e palëve të paditura të paguajne në favor të palës paditëse kamatëvonesat e përllogaritura për këtë detyrim në shumën 8,119,915 leke. Si dhe detyrimin e palëve të paditura t’i paguajnë palës paditëse interesin ditor për çdo ditë vonese në shumen 2 686 leke/ditë” thuhet në çështjen e regjistruar.

Ndërkohë vetëm pak muaj më pas, konkretisht në 12 shtator 2023 dy kompanitë kanë paditur Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Objekt i padisë është “Shfuqizimi i aktit administrativ te Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, konkretisht shkresa nr. 1113/4, datë 26.05.2016 me lënde “Zgjidhjen e kontratës koncensionare për rehabilitimin e Rafinerisë së Cërrikut”.

S'KA KOMENTE