Hetimi që zbuloi intrigën e gjyqtares me kërcënime

Hetimi që zbuloi intrigën e gjyqtares me kërcënime

74
SHPËRNDAJE

Dyshimet e para lindën pasi letra e kërcënimit me jetë ishte pa asnjë shenjë palosje mbi tavolinë, ndërkohë që gjyqtarja e Tiranës Arnisa Këlliçi pretendonte se letra kishte ardhur me postë, me shumë gjasa nga burgu i Fushë-Krujës, ku shkruhej ndër të tjera se duhej të mendonte për dy fëmijët, dhe se si do mund të jetonte pa ta.

Histori rozë, përgjime e arrestime imagjinare/ Arnisa

Nëse letra do të kishte ardhur me postë, do të kishte shenja palosje, detaji të cilin duket se nuk e ka menduar ‘regjisorja’ e telenovelës më të pabesueshme në sistemin gjyqësor.

Fillimisht, hetuesit kanë trokitur në banesën e gjyqtares, pasi kjo e fundit kishte dhënë alarmin për kërcënimin. Gjyqtarja nuk ishte në banesë, por në zyrën e saj në Gjykatën e Tiranës.

Grupit të hetimit i është dashur mbi një orë që gjyqtarja të hapte derën e zyrës. Zonja Këlliçi kishte mbyllur derën me çelës nga brenda, duke bërë rezistencë. Pas negociatave dhe luftës së nervave, OPGJ-të kanë arritur të futen në zyrë, duke e gjetur gjyqtaren në një gjendje të degraduar, dyshohet nën efektin e alkoolit, tronditjes dhe ndoshta edhe të lëndëve të tjera të ndaluara.

Janë hapur dhe këqyrur kamerat e gjykatës. Nuk është konstatuar asnjë person i dyshimtë.

Dyshimet për inskenim u kthyen në pistë kryesore kur gjyqtarja ka grisur një deklaratë me shkrim në Prokurori, për të evituar ekspertimin kaligrafik.

Gjyqtarja Këlliçi është thirrur në prokurori për të dhënë deklarimet e saj. Asaj i është kërkuar që të lëshojë një deklaratë me shkrim dore.

Zonja Këlliçi mësohet se ka grisur deklaratën. Ajo ka ngritur pretendime për hetim tendencioz dhe në konflikt interesi, duke u larguar në mënyrë demostrative nga zyra e Prokurorisë.

Në këto kushte, prokurorja e çështjes Deniona Katro ka sekuestruar disa teza provimi në Shkollën e Magjistraturës të Arnisa Këlliçit, kur kjo e fundit ishte studente.

Nga ekspertimi kaligrafik ka rezultuar se shkrimi në letrën e kërcënimit i përkiste pikërisht gjyqtares Arnisa Këlliçi.

Bazuar në aktin e ekspertimit dhe nga dëshmitë e të ‘implikuarve’, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur gjyqtaren Arnisa Këlliçi për deklarim të rremë dhe falsifikim të dokumenteve, pasi letra që kishte shkruar vetë u përdor si provë në Këshillin e Lartë Gjyqësor për t’i dhënë asaj dhe familjes mbrojtje fizike.

Ndërkaq, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi ditën e enjte pezullimin nga detyra të gjyqtares Arnisa Këlliçi, deri në përfundim të hetimit. Më herët, KLGJ-ja kishte vendosur që Arnisa Këlliçi të mbrohej për shkak të kërcënimeve.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës e ka referuar dosjen për kompetencë në Prokurorinë e Durrësit, për të evituar konfliktin e intetesit, pasi gjyqtarja është pjesë e Gjykatës së Tiranës si dhe akuzon edhe prokurorin e Tiranës, Adriano Dyrmishi, i cili nga provat e mbledhura deri më tani rezulton viktimë e telenovelës së sajuar nga gjyqtarja. Dërgimi i dosjes në Durrës është kërkuar nga vetë gjyqtarja Këlliçi.

Tashmë Prokuroria e Durrësit mund t’i përsërisë të gjitha veprimet hetimore dhe aktet e ekspertimit, për të shuar çdo dyshim për hetime të njëanshme dhe tendecioze.

Histori rozë, përgjime e arrestime imagjinare/ Arnisa

Një tjetër fakt që ka tërhequr vëmendjen e prokurorëve është kërkesa e gjyqtares për t’u mbrojtur me truproja edhe gjatë pushimeve në Kroaci, me pretendimin se i kërcënohet jeta edhe jashtë vendit dhe se mund ta ndjekin. Si kurrë më parë, gjyqtarja ka shkuar në Kroaci shoqëruar me truproja si të ishte një kryetar shteti.

Si nisi itriga, ‘dy urdhër arreste nga SPAK’

Pjesë e telenovelës me regjisore të dyshuar gjyqtaren Arnisa Këlliçi janë bërë KLGJ, SPAK, Prokuroria e Tiranës, GJKKO etj.

Arrestimet nga SPAK sa vijnë e bëhen më intriguese, duke ndezur kureshtje dhe shkaktuar ankth.

Javën e dytë të janarit, gjyqtarja Arnisa Këlliçi dyshohet se ka përhapur një lajm të rremë sipas të cilit SPAK kishte kërkuar arrestimin e një ish gjyqtari dhe një prokurori. Për të ‘vërtetuar’ këtë informacion, gjyqtarja ka paraqitur tek rrethi i ngushtë biseda të montuara me një hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili ‘informonte’ gjyqtaren.

Gjyqtarja Këlliçi ka përfshirë në këtë intrigë edhe kancelarin e gjykatës, i cili duke i besuar gjyqtares, ka kontaktuar me njërin prej subjeteve që do të ‘arrestohej’ nga SPAK.

Ish gjyqtari dhe prokurori që do ‘arrestoheshin’, janë tronditur dhe kanë nisur të interesoheshin për ‘dosjen e tyre’ në SPAK, e cila do t’i çonte në burg. Ky informacion, që më pas do të dilte i rremë, ka shqetësuar edhe familjarët e ish gjyqtarit dhe prokurorit.

Në të njëjtën kohë, gjyqtarja Arnisa Këlliçi ka nisur përpjekjet për të shpëtuar ish gjyqtarin dhe prokurorin nga arrestimi imagjinar, duke ‘ndërhyrë’ tek gjyqtarja e çështjes Flojera Davidhi, e cila do të shqyrtonte kërkesën e SPAK për arrestimin e ish gjyqtarit dhe prokurorit.

Sipas skenarit, dosjen e kishte prokurori Klodian Braho.

Për të arritur te Flojera Davidhi, Arnisa Këlliçi ka kontaktuar gjoja kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, e cila është shoqe me zonjën Davidhi.

Për këtë angazhim, Arnisa Këlliçi ka paraqitur komunikime të montuara dhe të sajuara në Whatsapp me Naureda Llagamin dhe Flojera Davidhin. Sipas skenarit, mbështetur në biseda të sajuara, Llagami i ka thënë Këlliçit që të shkojë të flasë me Davidhin në emrin e saj, duke i kërkuar që të shpëtojë nga ‘arrestimi’ ish gjyqtarin dhe prokurorin.

Në fakt, Arnisa Këlliçi nuk ka komunikuar realisht as me Naureda Llagamin dhe as me Flojera Davidhin. Dy zonjat as që ishin në dijeni të kësaj telenovele.

Arnisa Këlliçi i shkruante vetes sikur ishte Naureda Llagami dhe Flojera Davidhi.

Arnisa Këlliçi, sipas skenarit, kontakton Flojera Davidhin dhe i kërkon si nder të shpëtojë dy miqtë e saj nga arrestimi, ish gjyqtarin dhe prokurorin Adriano Dyrmishi.

Pasi merr garanci nga Flojera Davidhi se nuk do të pranojë kërkesën e SPAK për arrestimin, Arnisa Këlliçi informon ish gjyqtarin dhe prokurorin Dyrmishi se i ka shpëtuar.

Arnisa Këlliçi del zbuluar

Ish gjyqtari dhe prokurori Dyrmishi që do ‘arrestoheshin’ nga SPAK, edhe pse për momentin i kishte ‘shpëtuar’ me ndërhyrjen e saj Arnisa Këlliçi, nuk ishin të qetë. Ata nisën të interesoheshin se për çfarë çështje po hetoheshin prej 8 muajsh.

Prokurori Adriano Dyrmishi informon kryeprokurorin Arenc Çela se kaq e pati karriera e tij.

Theksojmë se nuk ekzistonte asnjë dosje. Kryetarja e KLGJ Naureda Llagami, gjyqtarja e GJKKO Flojera Davidhi dhe prokurori i SPAK Klodian Braho janë habitur kur janë vënë në dijeni për insinuatën.

Kur Naureda Llagami ka mohuar të ketë komunikuar me gjyqtaten Arnisa Këlliçi dhe nga SPAK është konfirmuar përmes burimeve se nuk ekziston çështje e tillë penale, ndaj Arnisa Këlliçit kanë nisur dyshime të forta.

Ballafaqimi dhe pohimet e të gjithë atyre që Arnisa Këlliçi pretendonte se komunikonte, duke i çuar mesazhe vetes, kanë nxjerrë në pah intrigën e pazakontë.

Adriano Dyrmishi bien në kurth dhe humbet qetësinë

Prokurori Adriano Dyrmishi, i njohur si një magjistrat me integritet, ashtu si edhe Flojera Davidhi dhe Naureda Llagani, është shqetësuar dhe ka humbur qetësinë nga loja e gjyqtares Arnisa Këlliçi.

Adriano Dyrmishi besohet se ka patur një komunikim të ashpër në telefon me kancelarin, i cili gjithashtu ka rënë në kurthin e gjyqtares Këlliçi. Gjatë debatit të tensionuar, Dyrmishi ka përmendur edhe zonjën Këlliçi.

Biseda është e regjistruar dhe kancelari e ka kallëzuar menjëherë penalisht Dyrmishin, ndërkohë që paralelisht ka bërë dhe njoftimin e gjyqtares Arnisa Këlliçi.

Histori rozë, përgjime e arrestime imagjinare/ Arnisa

Të nesërmen Këlliçi e ka thirrur prokurorin Dyrmishi në zyrën e saj, për sqarime. Hyrja e prokurorit dhe biseda është e regjistruar nga Arnisa Këlliçi. Pas nxitjes së kancelarit për të kallëzuar Dyrmishin, ky i fundit kallëzohet edhe nga Arnisa Këlliçi për kërcënim. Tani gjyqtarja kishte si prova bisedën e prokurorit Dyrmishi me kancelarin dhe bisedën e Dyrmishit me atë vetë në zyrë.

Për të rënduar më tej pozitat e Dyrmishit, Arnisa Këlliçi ka sajuar edhe shkëmbim mesazhesh me prokurorin në telefon.

Edhe mediat bien në kurth

Telenovela, e nisur ndoshta si një shaka mes kolegësh, kishte marrë një kthesë dramatike. Si rrallëherë Prokuroria e Tiranës, në 7 shkurt 2024, doli me një deklaratë për mediat, duke njoftuar marrjen të pandehur të gjyqtares Arnisa Këlliçi.

Histori rozë, përgjime e arrestime imagjinare/ Arnisa

“Në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja shtetasja A. K.”, njoftoi prokuroria.

Këlliçi e kundërshtoi akuzën. Ajo tha se akuza ndaj saj “është një sajesë”, ndërsa fajësoi prokurorinë e Tiranës se po mbronte kërcënuesin që sipas saj është prokuror në këtë prokurori.

Këlliçi akuzoi kryeprokurorin Arenc Çela, ish gjyqtarin dhe prokurorin Dyrmishi për komplot ndaj saj.

Mediat pasqyruan njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës. Disa orë më pas, në disa media u publikuan edhe ‘provat’ e Arnisa Këlliçit, të cilat ‘rrëzonin’ versionin e Prokurorisë. ‘Provat’ përfshinin bisedat e gjyqtares Arnisa Këlliçi me prokurorin Adriano Dyrmishi dhe ish gjyqtarin, foto të bisedeve, video dhe audio.

Çdo gazetar, pavarësisht përvojës së gjatë, do t’i konsideronte të besueshme dhe do t’i pasqyronte këto ‘prova’, që në pamje të parë dukeshin si autentike, biseda konkrete, audio dhe video. Aq më tepër që këto ‘prova’ i sillte një gjyqtare.

Gazetarët nisën të dyshojnë kur dërguesit e mesazheve mohuan kategorikisht që të t’i kishin nisur zonjës Këlliçi tekstet e paraqitura prej saj.

Nga ana tjetër, gjyqtarja ka refuzuar që të vërë në dispozicion të plotë sms-të me numrin e dërguesit.

Me shumë gjasa ajo i ka nisur SMS vetes ose ka montuar biseda përmes programeve të ndryshme që mund të shkarkohen në internet kundrejt pagesës 3 deri në 5 euro.

Ndërkaq, regjistrimet audio ishin të vërteta, por biseda e prokurorit Adrioano Dyrmishi ishte vendosur në një tjetër kontekst, duke u bashkuar me SMS e dyshuara si të rreme. Gjithashtu, biseda e regjistruar e prokurorit Dyrmishi ishte produkt i lojës së gjyqtares Arnisa Këlliçi me arrestime të sajuara.

Dyshime për probleme mendore

Cila mund të jetë arsyeja që një ish studente ekselente, sot një gjyqtare në kulmin e karrierës, e cila ka kaluar me sukses edhe Vetingun, të shkatërrojë karrierën e saj, duke rrezikuar edhe një dënim penal, përmes lojërave dhe një intrige sa banale aq edhe të paprecedentë?

Nuk ka një version zyrtar se çfarë fshihet pas telenovelës Këlliçi, por vetëm dyshime.

Së pari, gjyqtarja Arnisa Këlliçi krijon dyshime se mund të vuaje nga ndonjë çrregullim mendon. Vetëm një ekspertizë e shëndetit mendor mund të konfirmonte apo rrëzonte këtë version.

Së dyti, gjyqtarja Arnisa Këlliçi mund të ketë nisur një lojë dhe shaka mes kolegësh, duke provokuar reagime dhe emocione të forta, përmes sajimit të planit me arrestime dhe përgjime, por loja i ka dalë jashtë kontrollit.

Së treti, gjyqtarja Arnisa Këlliçi mund ta ketë sajuar historinë e arrestimit të kolegëve të saj, për protagonizëm dhe treguar influencën e saj në sytë e kolegëve, si një personazh që mund të bllokojë edhe arrestime nga SPAK.

Prapaskena mëson se Arnisa Këlliçi dyshohet për të paktën edhe tre inskenime dhe histori të sajuara.

Dy vitë më parë, SMS të ngjashme, që tashmë dyshohet se mund të jenë sajuar nga vetë Arnisa Këlliçi, nisën të përhapeshin në një rreth të ngusht në Tiranë. SMS-të raportonin për një hsitori të pretenduar rozë mes një gjyqtareje dhe një personazhi të njohur jashtë gjyqësorit.

Disa muaj më parë, në Gjykatën e Tiranës, u përhap një thashethem sikur SPAK kishte vendosur përgjues në tualetet e gjykatës.

Disa javë më parë, ka dyshime se gjyqtarja ka sajuar disa biseda kompromentuese mes një anëtareje dhe anëtari të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilët ‘bënin pazare’ për tranferime gjyqtarësh.

S'KA KOMENTE