Euro barazohet me lekun, c’po ndodh ne tregun valutor?!

Euro barazohet me lekun, c’po ndodh ne tregun valutor?!

399
SHPËRNDAJE

Euro ka prekur në tregun tonë valutor atë nivel që shifrat e paralajmëronin prej muajsh; “barazinë” me Lekun, pra 1 euro konvertohen në vetëm 100 lekë, dhe duket se ritmi nuk ka ndërmend të ndalet, duke pasur parasysh flukset e turistëve në vendin tonë, të paktën deri në fund të muajit Gusht. “Scan Intel” ka analizuar ecurinë e kursit të këmbimit që prej datës 17 Maj, kur nisi edhe rënia e lirë e monedhës së përbashkët europiane. Por, në këtë analizë kemi marrë veç euros dhe 4 prej valutave më të rëndësishme në tregun tonë të brendshëm valutor; dollarin amerikan, paundin britanik, dollarin kanadez dhe frangën zviceriane.

Që prej datës 17 Maj të këtij viti e deri më sot (21 Korrik), euro ka humbur 11.4% të vlerës së saj kundrejt lekut, pasi nga 113.4 lekë ka zbritur pranë 100.5 lekëve në mesataren e shitjes dhe blerjes. Këto shifra i referohen kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë pasi në tregun e lirë euro prek nivele edhe më të ulta se 100 lekë.

Por, ndërkohë që euro ka rënë me 11.4% kundrejt lekut vendas, sa vlerë kanë humbur 4 valutat e tjera gjhatë së njëjtës periudhë kohore? Dollari amerikan ka zbritur nga 104.7 në 89.6 lekë në këto 46 ditë tregtie, në rënie me plot 14.1%. Dollari kanadez ka zbritur nga 77.6 në 68.3 lekë gjatë së njëjtës periudhë kohore, në rënie me plot 12%. Paundi britanik ndërkohë ka rënë nga rreth 130 lekë, në 115.7 lekë, duke humbur 11.1% të vlerës së tij kundrejt monedhës tonë kombëtare. Nga ana tjetër, franga zviceriane ka rënë me 10.3% gjatë kësaj periudhe kohore, duke rënë me 10.3%, nga 116.5 lekë që këmbehej më 17 Maj, në vetëm 104.5 lekë sot.

Duke pasur një peshë më të ulët në tregun vendas se euro, valutat e tjera në përgjithësi ndjekin tendencën e monedhës së përbashkët europiane. Por, këto shifra tregojnë se jo e gjithë panorama është e tillë. Dollari amerikan dhe ai kanadez kanë rënë me një hap më të shpejtë se euro në tregun tonë gjatë 46 ditëve të tregtisë së marra në analizë, dhe nga krahu tjetër, paundi britanik dhe franga zviceriane kanë regjistruar një zhvlerësim pak më të butë se euro.

Të 5 valutat e marra na analizë përfaqësojnë vende origjine me prezencë mjaft të lartë të shqiptarëve në emigracion, e për rrjedhojë kanë ndikim të madh në ekonominë e vendit dhe atë familjare, për shkak të shpenzimeve të tyre në turizëm kur vijën në Shqipëri, por edhe për shkak të remitancave. Të paktën sa i përket dollarit amerikan dhe atij kanadez, zhvlerësimi kundrejt euros duket të jetë jo vetëm rrjedhojë e ecurisë së euros, por me gjasa edhe e shpenzimeve nga turistët. Madje, nëse shohim ecurinë e kursit të këmbimit gjatë sezonit veror të vitit të kaluar, vëmë re se, nga 1 qershori 2022 më 31 korrik 2022, euro ka humbur 3 pikë kundrejt lekut, ndërsa dollari amerikam ka fituar 5 pikë. Edhe ecuria e dollarit amerikan përgjatë viteve të fundit nuk korrespondon drejtpërdrejtë me ecurinë e monedhës së përbashkët europiane. Pra, duket se ecuria e kursit të këmbimit në vendin tonë është një “koktejl” faktorësh, duke nisur nga paraja informale, turizmi, investimet e huaja, remitancat, “largimi” i lekut, etj.

S'KA KOMENTE