Balla porosi strukturave të MB dhe të Policisë: Mos lejoni ndërhyrjen e...

Balla porosi strukturave të MB dhe të Policisë: Mos lejoni ndërhyrjen e deputetëve! 

84
SHPËRNDAJE

Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla ka zhvilluar sot takim me strukturat në varësi të institucionit që ai do të drejtojë. Teksa e nisi fjalën e tij me një falënderim për kryeministrin Edi Rama për besimin që tregoi, ai dha porosi për vartësit e tij. 

Prerë Balla tha se nuk do të lejojë që deputetët të ndërhyjnë në punën e Ministrisë së Brendshme, ndërsa theksoi se strukturat e këtij institucioni nuk do të preken.

“Zonja dhe zotërinj,
Ju drejtohem sot me ndjenjën e përgjegjësisë më të madhe të jetës sime publike dhe të mirënjohjes së thellë për besimin e kryeministrit të Shqipërisë, Presidentit të Republikës dhe grupit parlamentar të maxhorancës, për marrjen e detyrës së ministrit tuaj. Ju bëj me dije që në fillim, se kam hyrë në këtë godinë me vetëdijen se suksesi në punën time është i pamundur pa ju dhe se krijimi i një fryme skuadre në luftën për përmbushjen e objektivave të këtij sektori është baza e suksesit që synoj. 

Ju siguroj për respektin tim për dijet, eksperiencën, profesionalizmin e kësaj trupe dhe për gatishmërinë time që të punoj me të gjithë ju, duke i dhënë secilit dhe secilës mundësinë të shpalosë aftësitë e veta për të bërë së bashku më të mirën. Ka ndodhur në të shkuarën që paraardhës të nderuar të mitë në këtë detyrë e kanë nisur punën e tyre duke ndërruar drejtuesit dhe shefat. Unë nuk e ndjej sot veten më të zotin se askush nga ju dhe nuk e shoh të udhës që të gjykoj asnjërin prej jush nga lartësia e detyrës sime. Jam këtu për t’ju udhëhequr, duke ju dëgjuar, duke ju mbështetur, duke mësuar prej jush dhe duke zbritur në çdo nivel të veprimtarisë së kësaj ministrie, në çdo zyrë e komisariat, nga Tropoja deri në Konispol. Natyrisht fakti që unë e marr stafetën nga një koleg dhe shok i imi, i njohur për seriozitetin dhe për korrektesën e tij, në një fazë kur reformimi i sektorit ka tanimë 10 vite që ka nisur, ma bën më të lehtë se sa sikur të më duhej të nisja gjithçka nga e para.

E sotmja nuk ka krahasim me të shkuarën dhe gur pas guri ndërtimi i murit të shtetit në këtë sektor ka avancuar në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme. Por e ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen dhe unë jam këtu me detyrën për të vazhduar me ju ndërtimin e murit, edhe më mirë, edhe më shpejt, duke përmirësuar çdo gjë, në çdo drejtim. Kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë në pozicionin që ka në vijën e këtij fronti të përbashkët, do të ketë mbështetjen time pa rezerva në çdo hap dhe derën time të hapur pa orar për çdo nevojë. Ndërsa kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka. Unë vij nga një jetë e tërë tanimë si deputet dhe mes deputetëve. Besoj se nëse do bëhej një garë se kush e kupton dhe e vlerëson më shumë rolin e deputetit, do të isha një pretendent serioz për ta fituar. Por asnjë deputet nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyjë në punën tuaj, prandaj kush do të pranojë ndërhyrje nga deputetët, për çfarëdo lloj aspekti konkret në dinamikën e kryerjes së detyrës së vet, nuk do të mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar më tej në detyrë. 

Deputeti ka të drejtë dhe detyrë t’ju drejtohet për çdo shqetësim, t’ju shprehë ankesat e qytetarëve siç e parashikon Ligji për Statusin e Deputetit, i cili kërkon që deputetit t’i kthehet përgjigje brenda një afati, që duhet respektuar. Ju keni detyrë t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej deputetëve, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e detyrës suaj, ju kërkoj që deputetin ta drejtoni tek unë. Besoj vetëkuptohet që kur them këtë për deputetin, ndërhyrja e kujtdo tjetër është e papranueshme. 

Respekt maksimal në komunikim me këdo. Mirësjellje dhe durim për këdo. Por përzierje të kujtdo në detyrën tuaj, në asnjë rast apo mënyrë! Ky është standardi i kërkuar nga kryeministri mban mend unë qysh në mbledhjen e parë te grupit parlamentar në vitin 2013, me theks të posaçëm tek Policia e Shtetit. Ky është edhe standardi i kërkuar nga të gjithë kolegët që më kanë pararendur, po ky është një standard që duhet aplikuar 100% dhe nëse më parë drejtues e shefa policie kanë çeduar nga ky standard, unë nuk do të çedoj në asnjë rast në masat që do të merren drejt tyre, për cënim të këtij standardi dhe çedim ndaj ndikimeve nga jashtë.

Nga ana tjetër, unë do të kujdesem posaçërisht për rritjen e standardit të jetesës të punonjësve të policisë dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja, pa e harruar që nga sot sistemimin përfundimtar të të gjitha familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës, fëmijët e të cilëve janë fëmijët tanë. Prandaj nga nesër do te fillojmë të trajtojmë problemin e banimit për ata që shërbejnë në qytete të ndryshme nga qyteti ku kanë familjen dhe gjithashtu do të hapim rrugën e aplikimeve për vitin 2023, duke e nisur me 100 banesat e para, të cilat do tu jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë. Kriteret do të bëhen publike në ditët në vijim në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.”, tha Balla

S'KA KOMENTE