Është liruar nga burgu italiani Sandro Mugnai, i cili vrau me armë zjarri shqiptarin që po shkatërronte me buldozer banesën e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi natën mes 5 dhe 6 janarit në Arezzo. Gjykata vendosi që mos të marrë asnjë masë paraprake për 53-vjeçarin, një artizan i hekurit, i cili u arrestua natën e Epifanisë në fshatin San Polo për vrasje.
Sipas gjyqtares hetuese Giulia Soldini, kushtet për masën e sigurimit në burg nuk ekzistojnë: rrezik arratisjeje, ndotje e provave dhe përsëritje e krimit. Mugnai iu përgjigj pyetjeve gjatë seancës gjyqësore, ndërsa pohoi se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi rrezikoheshin 6 jetë në banesë.
Natën mes 5 dhe 6 janarit, burri mori pushkën e gjuetisë që mbante rregullisht dhe qëlloi në drejtim të shqiptarit Gezim Dodolit, 59 vjeç, i cili ndodhej në kabinën e mjetit mekanik me kovën që çante murin dhe hyrjen në banesa.